Aleanca për Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut ka reaguar pas refuzimit të vizës për ministrin e Politikës Sociale, Fatmir Limani, për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky refuzim e detyroi ministrin të anulojë udhëtimin zyrtar në OKB, New York.
Në një kumtesë, ASH e cilësoi këtë ngjarje si një “turp” për shtetin dhe një dëmtim të imazhit ndërkombëtar të Maqedonisë së Veriut. Aleanca për Shqiptarët kërkoi që ministri Limani të dorëhiqet ose të shkarkohet nga posti i tij.
Limani ka pranuar se refuzimi i vizës lidhet me të kaluarën e tij politike, por ASH thotë se kjo është një “manipulim”. Sipas partisë, fakti që një ministër nuk mund të hyjë në SHBA është një dështim që pasqyron dështimin e të gjithë qeverisë, raporton Klan Macedonia, transmeton Klankosova.tv.
Aleanca për Shqiptarët shton se heshtja e kryeministrit dhe e qeverisë tregon paaftësi për të menaxhuar situatën, dhe se ky skandal nuk duhet të mbulohet.