Hykmete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka kërkuar nga qeveria që ta largojë taksen, ndaj produkteve të SHBA-së.
Bajrami në një prononcim për Periskopin ka thënë se nuk duhet të harrojmë asnjëherë se aleanca jonë me SHBA-të është me rëndësi të veçantë, prandaj edhe marrëdhëniet tona ekonomike duhet të trajtohen me kujdes.
“Tregtia e lirë sjell shumë përfitime për ekonominë dhe konsumatorët, duke përfshirë konkurrencën më të madhe, çmime më të ulëta, më shumë zgjedhje, inovacion dhe përmirësim të mirëqenies në përgjithësi. Mbi të gjitha ne nuk duhet të harrojmë asnjëherë se aleanca jonë me SHBA-të është me rëndësi të veçantë. Për këtë arsye, edhe marrëdhëniet tona ekonomike duhet të trajtohen me kujdes”, ka thënë Bajrami.
Bajrami tha se Qeveria do të ishte në pozitë më të favorshme për të negociuar një marrëveshje të tregtisë së lirë.
“Kosova duhet menjëherë ta largojë taksën doganore prej 10% për produktet e importuara nga SHBA-të. Kjo, natyrisht, do të kishte një ndikim minimal në të hyrat e buxhetit, por në anën tjetër do të ulte çmimin e produkteve amerikane për konsumatorët tanë. Në të njëjtën kohë, qeveria do të ishte në një pozitë më të favorshme për të negociuar një marrëveshje të tregtisë së lirë me SHBA-të.”, ka thënë ajo për Periskopin.
Kosovës i është vënë tarifë prej 10%, ndërsa pak minuta më parë, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, njoftoi se i ka bërë kërkesë zyrtare qeverisë në detyrë që të heq tarifat në import për produktet amerikane.
Ndryshe kjo deklaratë e Osmanit ka nxitur reagime të shumta si dhe ka shkakturar përplasje mes Presidencës dhe Qeverise në detyrë mbrëmë.
Për kërkesën publike të Osmanit ndaj Qeverisë reagoi ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, i cili u shpreh i pakënaqur që ajo e vendosi në publik këtë komunikim dhe u ankua se kërkesa i shkoi Qeverisë jashtë orarit të punës dhe në vetëm pak minuta ajo u publikua në X.
Në këtë reagim, Murati tha se Qeveria ka qenë duke e shqyrtuar mundësinë për tregti të lirë me SHBA-në.
Kërkesë të njëjtë ka bërë edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, Oda Ekonomike e Kosovës si dhe opozita në Kosovë.
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, tarifa prej 10 për qind e vendosur nga SHBA-ja mund të ketë ndikim si në të ardhurat e bizneseve, ashtu edhe në uljen e numrit të punëtorëve.
“Patjetër që do të ketë ndikim, sidomos në periudhë afatshkurtër. Duhet pasur parasysh se disa mallra të eksportuara nga Kosova në SHBA kanë pasur çmime më të ulëta, gjë që u ka dhënë një përparësi konkurruese prodhuesve kosovarë”, thotë Zeka
Sipas kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, shtrenjtimi i produkteve që Kosova eksporton – për shkak të taksës së SHBA-së – mund të bëjë që të bjerë edhe kërkesa për to, rrjedhimisht edhe prodhimi.
“Bizneset do të përpiqen të gjejnë tregje të reja, por kjo kërkon kohë, angazhim dhe investime. Nuk është diçka që ndodh brenda natës, nuk është e lehtë të riorientohesh menjëherë në një treg të ri”, u shpreh Rafuna në një intervistë.
Për të zbutur efektin e tarifës mbi prodhuesit eksportues, organizatat ekonomike kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të ndërmarrë masa lehtësuese.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë i bëri thirrje Qeverisë që të mbështesë bizneset e prekura nga ky vendim.
Kujtojmë se Presidenti Trump, të mërkurën njoftoi se ka vënë tarifa doganore për të gjitha shtetet, të cilat kanë në funksion tarifa ndaj importeve të ShBA-së.