Shqipëria, Kroacia dhe Kosova zyrtarizojnë bashkëpunimin mbrojtës, ndërsa Beogradi e sheh si kërcënim për doktrinën e tij ushtarake.
Shqipëria, Kroacia dhe Kosova zyrtarizuan të martën nga një perspektivë rajonale një aleancë të mirëfilltë mbrojtjeje.
Në praktikë, të tre vendet nënshkruan atë që quhet “Deklarata e Bashkëpunimit Tripalësh Ushtarak”, drafti i të cilës ende nuk është bërë publik.
Referuar deklaratës zyrtare, bashkëpunimi synon forcimin e aftësive mbrojtëse, zhvillimin e industrisë dhe teknologjisë së Mbrojtjes, si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Gjithashtu, Shqipëria dhe Kroacia do të “punojnë ngushtësisht për unifikimin e qëndrimeve politike”, në mbështetje të aspiratave të qytetarëve të Kosovës për “integrim të plotë në strukturat rajonale dhe euroatlantike”.
I menjëhershëm do të ishte reagimi i presidentit serb Aleksandër Vuçiç, i cili deklaroi po atë mbrëmje se “Serbia e ka kuptuar mesazhin e dërguar me nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Kroacisë, Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e mbrojtjes”.
Madje, ai theksoi se Serbia ka doktrinën e saj, e cila “do të sigurojë stabilitet dhe mbrojtje kundër çdo agresori të mundshëm”.
“Ne i kuptuam ata dhe jemi shumë të shqetësuar për atë që po bëjnë. Ne kemi doktrinën tonë dhe jam i sigurt se do të kemi sukses në ruajtjen e stabilitetit dhe mbrojtjen nga çdo agresor i mundshëm”, theksoi Vuçiç.
Ndër të tjera, ai nuk harroi të përmendte se Kroacia në “aspektin ushtarak” është një vend “shumë i fuqishëm”, teksa theksoi se Serbia për herë të parë ka “një ushtri më të fortë”.
Por, kjo marrëveshje bashkëpunimi kishte më shumë se një vit që diskutohej mes palëve, duke u konkretizuar vetëm ditën e djeshme.
Pikërisht ideja fillestare u nda gjatë një Ministeriali të NATO-s nga ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anušić, ka mësuar Albanian Post.
Të tre kryeministrat e vendeve u dakordësuan përpara konkretizimit të bashkëpunimit, duke pohuar soliditetin e palëve.
Nënshkrimi i marrëveshjes në Tiranë ishte një mesazh i qartë nga ana tjetër, për të treguar pozitën e garancisë së aleatëve të NATO-s ndaj një nisme të tillë.
Aq sa, Bullgaria një tjetër vend anëtar i NATO-s ka shprehur edhe para nënshkrimit dëshirën e saj konkrete për t’iu bashkuar kësaj aleance “rajonale”, e cila ka në fokus të posaçëm Kosovën.
E pritshme nga autoritetet serbe, ishte një notë proteste e paralajmëruar në krye të herës, por që ende nuk ka mbërritur në dyert e institucioneve shqiptare, mëson AP-ja.
Beogradi e kundërshtoi masën, duke argumentuar se Shqipëria dhe Kroacia, së bashku me “përfaqësuesin jo-legjitim të institucioneve të përkohshme të vetëqeverisjes në Prishtinë”, kanë ndërmarrë hapa që prishin stabilitetin rajonal.
“Republika e Serbisë, si garantuese e paqes dhe neutralitetit ushtarak në Ballkan, me të drejtë kërkon përgjigje për natyrën dhe qëllimet e këtij bashkëpunimi të sigurisë”, thuhet nga MPJ-ja serbe.
Pra, më shumë se sa bashkëpunimin mes vendeve ballkanase, kjo aleancë ka zbuluar synimet keqdashëse të Serbisë ndaj Kosovës të cilat janë provuar gjatë trevjeçarit të fundit përmes një sërë aktesh destabilizuese që kulmuan me sulmin në Banjskë më 24 shtator të vitit 2023 kur terroristët serbë ndërmorën një sulm në veri të Kosovës, duke vrarë policin Afrim Bunjaku.
Në konferencën e djeshme, ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci i parapriu në njëfarë mënyre keqinterpretimeve të kësaj aleance trepalëshe.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është një kërcënim ndaj askujt, por është një mesazh për të gjithë ata që kërcënojnë sigurinë, paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor, mes vendeve tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta. Ne jemi bashkuar për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e rajonit”, theksoi Maqedonci.
Vizita e dyfishtë (Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë – ed.) e shefit të NATO-s, Mark Rutte nuk përkoi me tempizmin e kësaj marrëveshjeje mes tre vendeve, por ishte e nxitur nga bindja se “një rajon i sigurt nënkupton më shumë siguri në të gjithë zonën euroatlantike”.
Siç ka mësuar Albanian Post, kjo vizitë e Rutte-s ishte kërkuar me ngulm nga diplomacia shqiptare në Bruksel për të dhënë një mesazh të qartë lidhur me zhvillimet e kohëve të fundit në Ballkanin Perëndimor.
Tirana zyrtare ka treguar vazhdimisht se mbetet e angazhuar plotësisht për të mbështetur aspiratat e Kosovës në integrimin e familjes euroatlantike dhe se prioritet absolut për autoritetet shqiptare mbetet anëtarësimi i Prishtinës në Kartën e Adriatikut.
Dëshirave të Shqipërisë, ju bashkuan edhe Kroacia, duke pritur së shpejti Bullgarinë për të bashkëpunuar në lidhje me investimet në mbrojtje dhe jo vetëm.
Ndërsa, Serbia ka dy vite që refuzon çdo ftesë për t’u bërë pjesë e nismave apo aleancave rajonale në lidhje me sigurinë dhe mbrojtjen, mëson Albanian Post, duke u provuar vazhdimisht si qendër gravitacionale e destabilizimit në Ballkanin Perëndimor.
Reagimi i fundit për marrëveshjen mes Shqipërisë, Kroacisë dhe Kosovës e përforcoi edhe më shumë.