Albulena Haxhiu thoshte “pse po presim?”, dhe 11 vjet më vonë po pret

Dështimi i 14-të me radhë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës ka ringjallur kujtimet e krizës institucionale të vitit 2014, kur vendi qëndroi disa muaj pa institucione funksionale pas zgjedhjeve parlamentare.

Në atë kohë, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pati lëshuar një deklaratë të ashpër ndaj PDK-së dhe mënyrës si ajo po menaxhonte procesin parlamentar.

“Të drejtohen karshi PDK-së për shkak se ekziston shumica parlamentare dhe pse po presim. Pse katër muaj pas zgjedhjeve ende nuk janë krijuar institucionet. Përgjegjëse për këtë duhet të mbahet PDK-ja. Tash zonja Flora Brovina e cila është shfrytëzuar po nga PDK-ja për shkak të moshës që e ka dhe pozicionit si kryesuese të seancës konstituive dhe tash nuk po shihet askund. Pra ajo e ka uzurpu Kuvendin me direktivat e PDK-së dhe unë konsideroj që edhe rregullorja e punës na mundëson të drejtën në qoftëse kryesuesja e seancës refuzon ta thërras seancën, kjo duhet të zëvendësohet me deputetën tjetër më të vjetër për nga mosha”, pati deklaruar Haxhiu më 2014 në një paraqitje televizive, duke kritikuar rolin udhëheqës të kësaj partie në uzurpimin e procedurave.

Deklarata e saj vinte në një moment kur Flora Brovina, deputetja më e vjetër në moshë, po udhëhiqte seancën konstituive si kryesuese, një rol që ajo e ushtronte në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Brovina ishte vënë në qendër të debatit publik për vendimin që mandatin për kryetar të Kuvendit t’ia jepte Partisë Demokratike të Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, një vendim që opozita e atëhershme e konsideronte si zgjatim të ndikimit të PDK-së në procesin politik.

Sot, 11 vjet më vonë, Kosova përballet me një krizë të ngjashme.

As pas përpjekjes së 14-të, Kuvendi nuk ka arritur të konstituohet dhe Albulena Haxhiu të mos zgjidhet kryeparlamentare.

Edhe këtë herë, bllokada është përqendruar rreth mënyrës së votimit për kryetarin e Kuvendit, një përpjekje e Lëvizjes Vetëvendosje për ta kaluar votimin nga formë e hapur në të fshehtë ka dështuar për mungesë votash.

Nga 92 deputetë të pranishëm në seancën e së dielës, vetëm 54 votuan pro formimit të komisionit për të mbikëqyrur procesin, ndërsa pjesa tjetër nuk mori pjesë në votim.

Edhe pse akterët politikë kanë ndryshuar, dinamika e bllokadës mbetet e njëjtë.

Fjalët e Haxhiut të atëhershme marrin një dimension ironik sot, kur Vetëvendosje që në vitin 2014 akuzonte PDK-në për kapje të institucioneve ndodhet në një përballje të ngjashme me opozitën për të kaluar përmes krizës parlamentare.

Seanca e radhës është caktuar për të martën në orën 10:00, por gjasat për përparim mbeten të ulëta në mungesë të konsensusit politik.

Gazetari Vehbi Kajtazi e ka rikthyer në kujtesë këtë deklaratë të Haxhiut derisa shkruan “Shkojme me nje potpuri nga thesari i Perpjekje Haxhiut (1)”.

/