“Albini pa maskë”, “Ky është panik”: Opozita kritikon deklaratat e Kurtit në intervistën televizive pas një kohe të gjatë

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, pas një kohe të gjatë dje doli sërish në media.

Në Kanal10, ai foli gjerë e gjatë për disa prej temave të rëndësishme. Për disa sulmoi, për disa e gjuajti përgjegjësinë dikah tjetër, për disa të tjera nuk i çoi deri në fund.

Për këtë intervistë, pati reagime të shumta nga opozita.

Kandidatja për deputete e LDK-së, Jehona Lushaku-Sadriu, tha se Kurti ishte pa maskë.

“Mbrëmë, Albin Kurti e hoqi maskën. Në televizion pas disa vite mungesë, me plot zell, i mbrojti të gjithë të akuzuarit e partisë së tij. Jo drejtësinë. Jo ligjin. Por, njerëzit e Vetëvendosjes që po hetohen për korrupsion. Në të njëjtën kohë, sulmoi Prokurorinë. Sulmoi gjyqësorin. Sulmoi shtetin e së drejtës. Kjo s’është mbrojtje e pafajësisë. Kjo është frikë nga drejtësia. Ky është presion politik. Ky është mentalitet autoritar”, ka shkruar ajo.

“Çka të presim më shumë nga një kryeministër që vetë nuk i përgjigjet drejtësisë? Që refuzon thirrjet e gjykatave? Që sillet sikur ligji vlen për të tjerët, jo për të? Albin Kurti nuk do shtet të së drejtës. Ai do pushtet pa kontroll. Pushtet ku partia është mbi ligjin. Ku kryeministri sillet sikur është vetë shteti. Kosova nuk guxon ta pranojë këtë. Kushtetuta e ligjet duhet të vlejnë për të gjithë edhe për pushtetin”, tha Lushaku-Sadriu më tutje.

Kundërshtime të ashpra për intervistën e Kurtit, pati edhe sekretarja e PDK-së, Vlora Çitaku.

“Mbrëmë, Albin Kurti zgjodhi të sulmojë gjithçka dhe secilin që nuk i nënshtrohet. Prokurorinë. Gjyqësorin. Mediat. Aleatët. Oponentët. Në vend se të japë llogari për dështimet, ai u bë mburojë politike për të akuzuarit për shpërdorime milionshe, nga energjia e deri te rezervat shtetërore. Në vend të rezultateve, ofroi linçim. Në vend të përgjegjësisë, arrogance”, ka shkruar ajo.

“Kur mungon puna, goditet institucioni. Kur mungon vizioni, sulmohen aleatët. Kur mungon përkushtimi ndaj qytetarëve, krijohen armiq të brendshëm. Kosova nuk ka nevojë për një kryeministër që frikësohet nga drejtësia dhe sulmon fjalën e lirë. Ka nevojë për qeverisje, llogaridhënie dhe respekt për shtetin që i shërben. Kjo nuk është forcë. Kjo është panik”, theksoi Çitaku.

Kurti kapërceu lehtë në disa tema kyçe që e kanë karakterizuar qeverisjen e tij gati pesë vjeçare. Për aferën e Rezervave Shtetërore, tha se gabim është Prokuroria, e jo Qeveria as Ministria. Në këtë temë, kaloi pa u ballafaquar – të paktën me një fakt të vetëm ose sado të vogël që del nga lënda e trashë Prokurorisë (Aktakuza): kush është Ridvan Muharremi?

Kurti e pa veten të pasfidueshëm kur u pyet se pse nuk i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë si dëshmitar dhe shpejt mori hov në humorin e zakonshëm se Prokuroria duhet t’i shkojë në zyrë.

Situata që duket komike, merr këtu përnjëherë përmasë tragjike, kur ai thotë se ‘dëshmitarët po – mund ta presin Prokurorinë që t’u shkojë kudo që janë t’i marrin në pyetje’.

Paqëndrueshmëria në përshkrimin që ia bën sistemit të drejtësisë, vërehet në të shprehurën e tij, kur e përshkruan -ta zëmë – nganjëherë Prokurorinë Speciale si ‘jo-patriotike’ dhe herë-herë i kthehet si referencë suksesi.

Kësi soji, për të, Aktakuza për Banjskën ishte e vonuar dhe e paplotë sepse ajo derivon nga një ‘shtëpi’ ku zot e ka ‘jopatriotin Blerim Isufaj’.

Kur e përfundon ‘ndërhyrjen kirurgjike’ të talljes me Prokurorinë, si zakonisht i kthehet pak edhe Gjykatës Kushtetuese. Një herë tha se ajo i zgjidh të gjitha kontestet dhë mirë boll që i zgjidhë, më pas e kapi po të njëjtën Gjykatë dhe po me të e goditi opozitën se pse aty konteston ligje.

Intervistuesi nuk ia doli ta sfidojë me faktin kryesor rreth Ligjit për Çmimet tavan, dhe t’i thotë se Kushtetuesja nuk e ka ndaluar ndërhyrjen në një de-rregullim të çmimeve, por ka thënë se kjo duhet të bëhet nga një mekanizëm i pavarur nga Qeveria.

Intervistuesi nuk ia doli ta sfidojë Kurtin, me faktin kryesor të publikimit të Aferës Zdravo (Mimoza Kusari – Millan Radojciq), atë se Prokuroria ka konstatuar se biseda nuk është e montuar.

Intervistuesi nuk ia doli ta sfidojë në çështjen e Listës Serbe, për të cilën Kurti tha se ‘nuk mund ta shpallin organizatë terroriste një parti politike’ – të paktën me pyetjen se pse kësaj partie politike ia kanë ndarë 360 mijë euro në KQZ, tre-katër muaj pas Bansjkës.

Intervistuesi nuk ia doli ta sfidojë për temën më të përfolur të muajve të fundit, për tregtarin serb Vuk Hamoviq që ka hyrë nëpër të gjitha portat prej kah vjen energjia në Kosovë dhe fjala s’ishte para 10 vitesh, as para 20-të, po për tani, për sot.

Për të gjitha këto, intervistuesi nuk ia doli ta hetojë cinizimin e Albin Kurtit, i cili gjeti fajtorë, përgjegjës e kompetentë për tema të ndryshme, duke mos ia mveshur as njërën as tjetrë, kurrë vetes. As fajtorin, as përgjegjësin, as kompetentin.

Për energjinë, tha pyetne njëfarë NOA-n. Për më shumë hollësi rreth energjisë, tha pyeteni Armend Mujën dhe Artane Rizvanollin. Në krejt intervistën, Kurti u përgjigj veç në një pyetje në emër të tij, por pyetja dhe përgjigjja ishin aq të parëndësishme, sa e harruam se cila ishte.