Albin Kurti rreth 30 mijë vota më pak se VV-ja: Pse janë mijëra vota dallim mes partive dhe kandidatëve për kryeministër?

Votat që kanë marrë partitë kryesore në vend, jo të gjitha i kanë shkuar edhe kandidatëve për kryeministër.

Pra, votuesit, nuk kanë zgjedhur ta votojnë numrin 1 në listën e tyre, ose kandidatin për kryeministër.

Kjo dukuri është më e theksuar në Lëvizjen Vetëvendosje.

Kur janë numëruar mbi 42% e votave të kandidatëve dhe subjekteve, Vetëvendosje ka 174 mijë vota. Megjithatë, jo të gjitha kanë shkuar për Albin Kurtin. Kandidati i VV-së për kryeministër ka marrë rreth 144 mijë, apo 32 mijë vota më pak se partia.

Një situatë e tillë është e theksuar edhe te Partia Demokratike e Kosovës, por në nivelet tejet më të vogël.

PDK-në e kanë votuar aktualisht mbi 78 mijë qytetarë, përderisa Bedri Hamza ka rreth 65 mijë vota, pra 13 mijë vota më pak se partia.

LDK-ja aktualisht i ka mbi 45 mijë votues, kurse kandidati i saj për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i ka mbi 31 mijë votave. Pra, 14 mijë më pak se partia që drejton.

Si rezultat, për Bedri Hamzën kanë votuar rreth 80% e votuesve të PDK-së.

Një situatë e tillë ka qenë edhe në zgjedhjet e shkurtit, nëse krahasohen votat e partisë me të kandidati për kryeministër.

Vetëvendosje ka pasur mbi 396 mijë vota në shkurt, kurse Albin Kurti rreth 337 mijë vota, pra afro 59 mijë vota më pak se partia politike.

PDK-ja ka pasur mbi 196 mijë vota, kurse Bedri Hamza rreth 173 mijë, pra rreth 23 mijë vota më pak.

Kurse, LDK-ja kishte pasur mbi 171 mijë vota, me Lumir Abdixhikun që kishte 146 mijë vota. Pra, 25 mijë vota më pak.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Albin Kurti janë rikthyer pothuajse në rezultatin e vitit 2021.

Me mbi 425 mijë vota, kanë shënuar fitore bindëse në disa prej komunave më të mëdha.

Madje, në komunat si Mitrovicë, Ferizaj, Gjilan, Podujevë e Kamenicë, kanë fituar me mbi 60% të votave.

VV-ja ka dalur parti e parë në të gjitha komunat, përveç Skënderajt, Drenasit dhe Deçanit.

Në Deçan parti e parë me 48% ka dalur AAK-ja, por edhe atje VV-ja ka marrë mbi 30%.

Kurse, në Drenas e Skënderaj, kryeson bindshëm Partia Demokratike e Kosovës.

Në Gjakovë, VV-ja ka mbi 53% të votave, kurse AAK-ja është e dyta me 22.97%.

Në Gjilan, VV-ja ka shënuar fitore bindëse me 62% apo mbi 29 mijë vota.

Edhe në Istog, bastionin e LDK-së, Vetëvendosje fitoi me mbi 44% të votave.

Në Kaçanik, gjithashtu fitoi mbi 60%.

Në Klinë ishte më ngushtë, përderisa në Fushë Kosovë, Vetëvendosje fitoi mbi 54% të votave.

Mbi 50% partia e Albin Kurtit fitoi edhe në Prishtinë, aty ku humbi zgjedhjet lokale para një muaji.

Në Pejë, gjithashtu VV-ja iu afru 48% të votave, po aq sa kishte edhe në Lipjan ku parti e dytë doli PDK-ja.

Edhe në Prizren, fitoi mbi 51%.