- “Gumë rezervë”.
Një tridhjetë e një vjeçar, Arian Tahiri i PDK-së, i shpallur në trajta fyese si “gomë rezervë” nga Albin Kurti, ka vënë në lëvizje të gjithë partinë Vetëvendosje, të nivelit lokal dhe nacional, duke mos “rezervuar” asgjë në mbështetje për Faton Pecin tash një javë kur vendoset në raundin e dytë për udhëheqjen e Mitrovicës. I gjithëpranishëm në atë qytet për t’ia mbajtur autoritetin e investuar në të, Faton Pecit, Albin Kurti mbrëmë edhe në ora 01:00 të mesnatës me eskortë e xhipa shtetërorë ia mësyu atyhëshit.
Mitrovica, në artikulimin e Albin Kurtit-e-teposhtë, është kthyer në një ‘Tregim’ sovraniteti dhe, vota për ta udhëhequr komunën, po kërkohet si provë-e-dëshmi për ta bërë komplementare me “ungjillin” e atij sovraniteti të trumbetuar si të shtrirë “cep më cep” Kosovës. Vetëvendosja e thotë edhe haptazi se me këtë “koncept” garohet për Mitrovicë? “Një, koncepti i Albin Kurtit…dhe dy, koncepti i Bedri i Hamzës”.
Tash kur janë veç edhe gjashtë ditë për ta shënuar fituesin e Mitrovicës–Arian Tahirin apo Faton Pecin–tonet kanë shkuar në kreshendot elektorale, dhe koalicionet janë shkruar. Arian Tahiri i PDK-së mori mbështetjen, në germë dhe letër, të LDK-së, me Gëzim Plakollin nënshkrues.
Gëzim Plakolli mori 1 mijë e 225 vota në kanidaturën për kryetar, ndërsa diferenca në vota në raundin e parë mes Arian Tahirit dhe Faton Pecit është diç-më-shumë se 100 voa. Votat e Plakollit, nëse mund të konsiderohen si të orientueshme te Arian Tahirit, me të cilin ka lidhur koalicion formal, do ta vendosnin Tahirin fitimtar të padiskutueshëm. Kjo gjë mbetet të shihet.
“Marrëveshja e koalicionit që nënshkruam me Lidhjen Demokratike të Kosovës është një premtim për qytetin tonë. Është një dëshmi se kur zgjedhim të bashkohemi dhe të veprojmë me një qëllim të përbashkët, Mitrovica gjithmonë fiton. Qyteti ynë ka nevojë për bashkëpunimin dhe energjinë e çdo qytetari, pavarësisht prejardhjes apo bindjeve politike”, shkroi Tahiri në Facebook.
Kësaj lidhje bashkëpunimi politik mes-zgjedhor të PDK-së me LDK-në, Vetëvendosja nuk i qëndroi duarkryq: ua ‘mori’ një anëtar të LDK-së i cili ka mbajtur “disa funksione”, ndonëse nuk treguan se çfarë funksionesh. Kështu njoftoi Arjeta Fejza, deputete e Vetëvendosjes dhe person supozivisht me ndonjë ndikim në Mitrovicë.
“Mirëseerdhe Arbnor Hamiti! Arbnori është i lindur dhe i rritur në Mitrovicë, jurist i diplomuar dhe afarist i suksesshëm. Për dhjetë vite ai është angazhuar në LDK, duke mbajtur disa funksione, por, ka vendosur t’i bashkohet Lëvizjes për ta vazhduar angazhimin e tij politik në interes të vendit tonë. Djem si Arbnori janë shembuj që duhen ndjekur. I dëshirojmë mirëseardhje në Lëvizje dhe rrugëtim të mbarë bashkë me ne”, shkroi Fejza.
- Peci ngarkon marramendshëm gjuhën
Me fjalë të ngarkuara, armiqësore, dhe tonërënda, Faton Peci i Vetëvendosjes është lëshuar në vlerësime për rivalët e tij për “skema kriminale” dhe “ndërmarrje kriminale”. Duke goditur Bedri Hamzën e PDK-së, i cili nuk garon kundër tij, Peci e quajti “politikani më përçarës në trojet shqiptare”.
“Politikani qe fshihet pas gezofit te politikanit te urte, po qe na del te jete politikani me percares ne trojet shqiptare, i cili eshte i gatshem te fute edhe percarje ndershqiptare e nderfetare per nje grusht vota”, shkroi Peci.










