Albin Kurti e ka prezantuar aktoren Adriana Matoshi si aderimin më të ri

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, e ka prezantuar aktoren Adriana Matoshi si aderimin më të ri.

Kurti, fotografisë së tij me aktoren ia ka bashkangjitur një mini-biografi të Adriana Matoshit, ndërsa është shprehur i lumtur me këtë aderim.

“O sa mirë!Adriana Matoshi u anëtarësua mbrëmë në VETËVENDOSJE!. Adriana është një ndër aktoret më të mira shqiptare dhe ndër më të kërkuarat në zejen e filmit në vend. Ajo ka përfunduar studimet në Universitetin e Prishtinës, Fakultetin e Arteve, në klasën e Profesor Faruk Begollit. Disa nga çmimet e shumta kombëtare e ndërkombëtare që ka fituar janë: çmimi “aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Kthimi” të regjisores Blerta Zeqiri, në Brazil, Valencia të Spanjës si dhe në Paris, çmimi “aktorja më e mirë” për rolin e saj në filmin “Zana” në Berlin, dhe në New Jork është shpërblyer edhe për rolin e saj në filmin “T’padashtun”. Përkundër roleve të saj në film, ajo ka luajtur edhe në shumë shfaqje teatrale si “Mësimi”, “Kumbara”, “Dejzilend”, “Shtëpia e Berndarda Albës”, “Këmisha e gjakut”, “Tudje srce”, “Romeo and Juliet”, etj. Adriana është anëtare e Akademisë Evropiane të Filmit, dhe ka qenë drejtoreshë e Teatrit të Gjilanit në vitin 2007 dhe po ashtu edhe kryetare e bordit drejtues të këtij teatri”, ka shkruar Kurti.

Ai tha se roli më i rëndësishëm i Adriana Matoshit është ai i gruas aktiviste.

“Ajo ka luajtur shumë role gjatë karrierës së saj, mirëpo roli më i rëndësishëm vazhdon të jetë ai i gruas aktiviste. Adriana Matoshi është në mesin e 41 grave në listën tonë të referendumit për deputete të ardhshme në Kuvendin e Republikës së Kosovës”, ka shkruar Kurti.

https://www.facebook.com/albini2017/photos/a.229545544212004/1056367654863118/