Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, ka pritur sot në takim kryeprokurorin e Holandës për Çështje Ndërkombëtare, Albert van der Kerk.
“Kryeprokurori Lumezi, fillimisht e njoftoi kryeprokurorin, van der Kerk, me funksionimin dhe efikasitetin e sistemit prokurorial e posaçërisht me atë të Prokurorit të Shtetit, duke theksuar se prokurorët e Shtetit janë të vendosur dhe të gatshëm që të kontribuojnë në forcimin e sundimit të Ligjit, si dhe për t’u përballuar me sfidat që i ka sistemi prokurorial”, thuhet në komunikatën e dërguar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.
Po ashtu, Lumezi e van der Kerk, kanë diskutuar për bashkëpunimin juridik ndërkombëtar, luftën kundër korrupsionit dhe luftën kundër terrorizmit. Kryeprokurori Lumezi ka theksuar se pavarësisht vështirësive institucionet e drejtësisë duhet t’i tejkalojnë të gjitha këto, që të arrijnë rezultate më të mira në hetimin dhe ndëshkimin e krimit.
“Kryeprokurori Albert van der Kerk, ka premtuar se Holanda do ta ndihmojë sistemin prokurorial, si dhe e ka vlerësuar kryeprokurorin Lumezi, për punën dhe angazhimin e tij në drejtim të forcimit të sundimit të Ligjit në Kosovë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Kryeprokurori Lumezi e ka falënderuar kryeprokurorin e Holandës për Çështje Ndërkombëtare, van der Kerk, për mbështetjen e vazhdueshme që po i jep sistemit prokurorial të Kosovës shteti i tij.