Alber Krasniqi për dy anëtarët e VV-së në KQZ: Objektivi i tyre janë gratë, me burra nuk ua mban

Albert Krasniqi nga Demokracia Plus ka reaguar ndaj dy anëtarëve të Vetëvendosjes në Komisionin Qendror Zgjedhor për sjelljen e tyre, siç tha ai, “destruktive”.

Krasniqi tha që të dy, Sami Kurteshi dhe Alban Krasniqi duhet të shkarkohen nga KQZ-ja.

Postimi i plotë:

Nuk di çfarë tjetër duhet të bëjnë Alban Krasniqi dhe Sami Kurteshi që të shkarkohen nga KQZ. Në mënyrë të përsëritur, ata kanë ndërmarrë veprime të kundërligjshme që cenojnë drejtpërdrejt integritetin e zgjedhjeve. Që nga shkarkimi i Valdete Dakës nga Presidentja Osmani – një vendim në shkelje të Kushtetutës dhe mbi akuza të fabrikuara nga VV – kjo dyshe vepron me bindjen se është e paprekshme, duke e përshkallëzuar sjelljen destruktive brenda KQZ-së.

Nuk është rastësi që objektivi i tyre janë gratë në KQZ, përfshirë ish-Kryesuesen dhe dy anëtaret e komuniteteve jo-shumicë, si dhe më pas gazetarët dhe shoqëria civile, ndaj të cilëve krijojnë “vija imagjinare” se ku duhet të qëndrojnë dhe ushtrojnë presion. Me burrat e partive politike nuk ua mban. Ky selektivitet tregon qartë se kemi të bëjmë me ushtrim pushteti dhe frikësim të qëllimshëm ndaj kategorive të pambrojtura. Ndërkohë që heshtja dhe abstenimi i opozitës vetëm sa u japin atyre hapësirë e justifikim për të vazhduar.