Alarmon profesori: Virusi i KQZ-së duket se ua ka vjedhur të dhënat personale qytetarëve

Virusi që sulmoi webfaqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, nuk ka prekur vetëm rezultatin e votimit.

Sipas profesorit të Sigurisë Kibernetike, Blerim Rexha, i cili ishte i ftuar në emisionin Kiks Kosova, ky virus ka dëmtuar edhe vetë qytetarët, të cilëve thotë se mund t’ua ketë vjedhur të dhënat personale të cilat i kanë pasur në pajisjet me të cilat kanë vizituar webfaqen e KQZ-së, transmeton klankosova.tv.

Në mesin e këtyre të dhënave, profesori alarmon se mund të jenë edhe të dhënat e tyre bankare.

“Si duket zyrtari i cili i ka bërë postimet në webfaqen e KQZ-së është infektuar me virusin që njihet si ‘Lumma stealer’ dhe i cili si për pasojë mbledh shënimet personale të të gjithë atyre që vizitojnë faqen e KQZ-së, duke marrë parasysh me shënimet që kemi në dispozicion që virusi i tillë ka qenë nga data 7 shkurt aty dhe duke parë që ne e kemi vizituar me disa miliona herë këto ditë, unë besoj që shumë qytetar kanë mund të preken nga ky virus dhe kanë mund t’iu vidhen shënime e tyre dhe këto shënime pastaj janë dërguar në formën që njihet si ‘command and control’ pra atij që e ka dërguar virusin.”

“Të gjithë qytetarët që i kanë ndjek këto udhëzime, kinse për të mirë, të gjithë atyre u janë vjedhë shënimet që i kanë pasur në llaptopin e tyre, që besoj që mund të jenë: password-a të bankave dhe shënime të tjera të kriptovalutave, e kështu me radhë.”