Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka thënë se Avni Dehari, kryesuesi i seancës konstituive, nuk mund të marrë vendime të tija pa pasë ndonjë interferim nga pjesëtarë të tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në emisionin “DPT Fidani” në Klan Kosova, ajo ka pohuar se Deharit i shkruajnë SMS, por edhe i thonë me zë në sallën plenare që t’ua ndalë fjalën deputetëve të partive të tjera, kur e kanë të drejtën të flasin, sipas saj.
“Po e shfrytëzojnë maksimalisht, ndonjëherë edhe ndjej keqardhje për të. E dirigjojnë me mesazhe, ai nuk mundet asgjë të veprojë, por po e dirigjojnë edhe me zëra po i thonë ndale, ndale. Ende pa filluar ne të flasim ata i thonë ndalja fjalën”.
“Dëgjohen deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që dëgjohen prej ulëseve duke thënë ndale, ndale dëgjohen me zëra të lartë. Ata po mendojnë se ne deputetët e të tjera partive kemi të drejtë të themi vetëm emrin për propozim”, ka thënë Kadrijaj.