Duke hapur seancën dëgjimore të martën vonë, kryetari republikan i Nënkomitetit për Evropën, Keith Self, vlerësoi se Ballkani Perëndimor, përveç Ukrainës që është nën pushtimin rus, është “rajoni më i paqëndrueshëm në Europë”, siç raportoi REL.
Ai tha se marrëdhëniet e pazgjidhura të Serbisë me Kosovën janë një nga nxitësit kryesorë të paqëndrueshmërisë rajonale, çka më tej i mundëson Rusisë ta minojë Bashkimin Evropian dhe aftësinë e NATO-s për t’i fuqizuar vendet e Ballkanit.
Kongresmeni Self ngriti alarmin se në rast konflikti, aleatët e NATO-s – Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi – do të jenë drejtpërdrejt në shënjestër, gjë që mund të çojë në aktivizimin potencial të nenit 5 të Aleancës, duke shtuar se aleatët e NATO-s në Ballkan duhet të ndërtojnë së bashku pengesë politike dhe ushtarake, por se Kosova do të jetë veçanërisht e ekspozuar për shkak se nuk është pjesë e aleancës perëndimore.
Ai shtoi se kundërshtarët e SHBA-së po i shfrytëzojnë aktivisht dobësitë për të zhvilluar luftë hibride që rrit paqëndrueshmërinë në rajon, tha Self, duke nënvizuar se Kina po e përdor ndikimin e saj duke kryer stërvitje ushtarake dhe duke dërguar armë në Serbi.











