“Alarm” nga Ymeri: Monopol energjetik në emër të ‘liberalizimit’

Analisti Visar Ymeri ka komentuar protestën e përfaqësuesve të bizneseve të cilët të enjten kanë bllokuar hyrjet në Prishtinë, si shenjë kundërshtimi ndaj liberalizimit të tregut të energjisë elektrike në Kosovë.

Ymeri në “VV Show” kritikoi ashpër qëndrimet dhe politikat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ndaj sektorit privat, duke e akuzuar se ka dëmtuar qëllimisht zhvillimin ekonomik të vendit.

“Duhet me kuptu ose duhet me e diskutu pse Albin Kurti sillet kështu ndaj bizneseve, pse përshembull Albin Kurti prej se ka ardh në pushtet e ka ndal secilën mundësi të zhvillimit të Kosovës”, deklaroi Ymeri.

Ai theksoi se Kurti ka bërë thirrje për bojkotim të produkteve vendore, me arsyetimin e luftimit të oligarkëve, ndërsa në të njëjtën kohë ka rritur çmimin e energjisë dhe ka hapur një treg të ashtuquajtur “të liberalizuar”, por që sipas Ymerit funksionon si monopol.

“Albin Kurti ka bë ftesë për me i bojkotu prodhimet vendore. Me këtë kishe po i luftojmë oligarkët. Ua ka shtrenjtu rrymën, i ka qit në treg që po e quajnë të hapur, kur nuk ka treg të hapur, nuk ka konkurrencë. Nëse ti del edhe e blen rrymën elektrike në treg të liberalizuar kur e ke veç një ofertues, kjo është monopol. A nuk është ky (Albin Kurti) që ka ardh në pushtet duke premtu që ka me i luftu monopole”, shtoi ai.

Ymeri theksoi se situata aktuale me energjinë i leverdis më së shumti tregtarëve të energjisë, e jo prodhuesve, të cilët janë ata që shpenzojnë më shumë dhe që po e ndiejnë barrën më të madhe të kostos.

“Situata aktuale me energji elektrike kujt i leverdis më së shumti, cilit lloj të biznesit? Tregtarëve me energji, jo prodhuesve. Sepse një gjë duhet me kuptu, pse në protestë i kemi pa prodhuesit, sepse prodhuesit shpenzojnë më shumë energji”, përfundoi Ymeri.