Me vetëm dy ditë të mbetura para mbylljes së afatit kalimtar të janarit, Jhon Duran ka nënshkruar një kontratë luksoze për pesë vite e gjysmë me Al-Nassr.
Sulmuesi 21-vjeçar do të luajë përkrah Cristiano Ronaldos, Aymeric Laporte dhe Sadio Mane në javët në vazhdim, pasi kompletoi transferimin prej 64 milionë eurosh në Riad.
Duran, i cili ka qenë njëri ndër lojtarët më të dalluar të Aston Villës këtë sezon me 12 gola në 29 ndeshje, ka kryer të premten testet mjekësore.
“Të gjithë tek Aston Villa do të dëshironin t’i uronin Jhon më të mirën në hapin e tij të ardhshëm në karrierën profesionale”, thuhej në një njoftim të klubit anglez.
Por sa para do të fitojë ai tek Al-Nassr? Sipas gazetarit italian Nicolo Schira, Duran do të marrë një pagë prej 20 milionë eurosh në vit.
Nëse e zbërthejmë këtë shumë, Duran do të fitojë rreth 46 mijë euro në ditë, 1,900 mijë euro në orë dhe 31 euro për minutë – që është një rritje jashtëzakonisht e madhe në krahasim me atë që përfitonte tek Villa (75 mijë euro në javë).
Më herët këtë muaj ishte sugjeruar se Aston Villa nuk e ka ndërmend që ta shesë 21-vjeçarin në janar, por gjithçka ndryshoi kur Al-Nassr bëri një ofertë që nuk mund të refuzohej.
Duran iu bashkua Villas nga Chicago Fire në 2023 për 18.3 milionë euro, por përkundër disa golave të bukur që ka realizuar, ai ka luajtur si titullar në vetëm shtatë nga 55 paraqitje sa i pati gjithsej në Ligën Premier.