Ka përfunduar pas rreth dy orësh seanca gjyqësore për tre personat e arrestuar si të dyshuar për pengmarrje në Vlorë. Gjykata ka vendosur dy masa sigurie “arrest në burg” dhe një masë “arrest në shtëpi”.

Sipas vendimit, për shtetasit Orest Çorapaj dhe Julian Zogaj është caktuar masa arrest në burg, ndërsa për Vilson Agaj është vendosur masa arrest në shtëpi.

Tre të dyshuarit pritet të hetohen në vijim për veprën penale të pengmarrjes, ndërsa organet e drejtësisë do të vijojnë procedurat ligjore për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Por çfarë ndodhi në Vlorë?

Policia zbuloi dhe liruar një shtetas nga Kosova, i cili mbahej peng prej dyjavësh në një apartament shumë pranë drejtorisë së policisë së Vlorës.

Pas zbulimit të apartamentit ku mbahej i lidhur pengu, policia identifikoi dhe arrestoi tre persona të dyshuar si pengmarrës, të cilët kishin kërkuar një shumë prej 70 mijë eurosh për lirimin e pengut të identifikuar si Fisnik Xhaka nga Mitrovica.

Ka qenë motra e këtij të fundit që ka telefonuar nga Suedia policinë e Vlorës pasi kishte humbur kontaktet me të vëllain, ndërsa një tjetër version është edhe fakti që e motra ka marrë policinë e Vlorës, kur pengmarrësit i kanë kërkuar 70 mijë euro për lirimin e të vëllait.

Sakaq, grupi hetimor i ngritur për këtë ngjarje ka dyshime në lidhje mbi njohjet që mund të ketë patur pengu me autorët e kësaj ngjarje, ky dyshimet janë se një aktivitet i mundshëm i paligjshëm mund t’i ketë bërë bashkë pengmarrësit dhe pengun, pasi ka të dhëna se pengu mund të ketë shkuar vetë në apartamentin, që është në pronësi të njërit prej të arrestuarve. /A2 CNN