Familja e Arbnor Spahiut, ish-policit të arrestuar së fundmi në Serbi me akuzën për “vrasje të rëndë” në rastin Banjska më 24 shtator 2023, ka reaguar përmes një deklarate publike, duke e cilësuar arrestimin e tij si të padrejtë dhe të pabazë në fakte.
Sipas prindërve të tij, Spahiu kishte dhënë dorëheqje nga detyra më 1 nëntor të vitit 2022 dhe prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij.
Gazeta online Reporteri.net ka publikuar javën që shkoi dorëheqjen e tij.
Ata theksojnë se ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit pas largimit të tij nga Policia dhe se ai nuk ka pasur asnjë lidhje me atë rast.
“Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme”, thuhet në reagimin e familjes.
Prindërit e Spahiut e quajnë ndalimin e tij një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe u bëjnë thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe organizatave për të drejtat e njeriut që të reagojnë.
“Ai është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po mbahet. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit”, thuhet më tej në deklaratë.
Familja njofton se do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe institucionale për të kërkuar drejtësi, duke shprehur besimin se e vërteta do të dalë në dritë.
Deklaratë publike nga prindërit e Arbnor Spahiut
Ne jemi prindërit e Arbnor Spahiut. Djali ynë ndodhet aktualisht në paraburgim në Serbi, mbi bazën e një akuze të padrejtë dhe të pabazë.
Dëshirojmë të sqarojmë publikisht se Arbnori ka dhënë dorëheqje nga puna më 1 nëntor 2022. dhe që prej asaj kohe jeton në Gjermani së bashku me bashkëshorten e tij, duke ndjekur një jetë të qetë dhe të rregullt. Ngjarja për të cilën ai akuzohet ka ndodhur një vit më pas, në një kohë kur ai nuk ka qenë pjesë e asnjë institucioni dhe nuk ka pasur asnjë rol që do ta lidhte me atë rast. Çdo përpjekje për ta lidhur emrin e tij me një ngjarje që nuk ka të bëjë me të është jo vetëm e padrejtë, por edhe e dëmshme.
Kjo është arsyeja pse ne, si prindër, e konsiderojmë ndalimin e tij një shkelje të rëndë të të drejtave të tij si qytetar, e cila bie ndesh me çdo parim të drejtësisë dhe logjikës ligjore. Ai është i pafajshëm dhe nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen për të cilën po mbahet.
Apelojmë tek institucionet ndërkombëtare, organizatat për të drejtat e njeriut dhe tek opinion publik që të mos heshtin përballë kësaj padrejtësie. Secili njeri meriton një proces të drejtë dhe të ndershëm – e kjo nuk po ndodh në rastin e Arbnorit.
Ne do të vazhdojmë të kërkojmë drejtësinë e tij me mjete ligjore dhe institucionale, me besimin se e vërteta nuk mund të mohohet.