Akuza e Serbisë se Popoviqi e pranoi fajësinë “nën presion”, është e rreme

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të rremë akuzën e Serbisë se zyrtari i Qeverisë serbe, Igor Popoviq, e pranoi fajësinë “nën presion, dhe jo me vullnetin e tij të lirë”.

Ajo ka theksuar se Serbia jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në Kosovë përmes zyrtarëve të saj duke nxitur urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikës së Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Popoviqit.

“Shteti i Serbisë jo vetëm që keqpërdor vizitat zyrtare në vendin tonë përmes zyrtarëve të saj duke nxiturr urrejtje dhe përçarje, por vazhdon propagandën e saj edhe pas marrëveshjeve me institucionet e Republikë Kosovës për pranim të fajësisë si në rastin e Igor Popoviq”.


“Ministria e Drejtësisë së Serbisë paska dalë me akuzë tjetër të rreme duke thënë se zyrtari i saj Igor Popoviq e ka pranuar fajësinë nën kushte presioni. Por, në videon më poshtë mund ta shihni se jo vetëm i akuzuari Popoviq, por edhe vet avokati i tij theksojnë se me vullnet të plotë është bërë si pranimi i fajësisë ashtu edhe marrëveshja.
Serbia me kutin e saj gjykon edhe Republikën e Kosovës, por ajo duhet ta kuptojë se Republika e Kosovës është vend demokratik, ku sundon drejtësia dhe dinjititeti njerëzor janë të garantuara e ku pushtetet janë qartësisht të ndara”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ndryshe, Igor Popoviqi, ndihmësdrejtor i të ashtuquajturës “Zyrë për Kosovë” në Qeverinë e Serbisë është shpallur fajtor në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe urrejtjes etnike.

Gjykata ka caktuar dënimin prej 6 muajsh burgim, i cili u zëvendësua me gjobë prej 3 mijë eurosh dhe dënim plotësues, dëbim nga Kosova për një periudhë prej dy vjetësh.

Në këtë rast, gjykata ka aprovuar marrëveshjen për pranim fajësie mes tij dhe Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Popoviq ishte arrestuar më 19 korrik në pikën kufitare të Bërnjakut dhe akuzohet se më 18 korrik 2025 në Rahovec kishte mbajtur një fjalim publik me përmbajtje nxitëse, duke përhapur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve etnike në Kosovë. /Reporteri.net/.