Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka paralajmëruar se aktivitetet ilegale të mjeteve motorike në DAPK “Sharri” do të përballen me masa ligjore, transmeton KosovaPost.
AMMK përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, po vazhdon të përballet me probleme të shumta të veprimeve ilegale në territorin e parkut.
“Përkundër paralajmërimeve të mëhershme dhe takimeve biletarale me Federatën e Motoçiklizmit të Kosovë, kanë vazhduar rastet e veprime ilegale të motoristëve dhe veturave për bjeshkatari duke shfrytëzuar ilegalishtë terrenin e Parkut Kombëtar “Sharri” për lëvizje dhe gara të ndryshme në pronat publike dhe private. Këto veprime po shkaktojnë ndërhyrje të drejtpërdrejt në prishjen e peizazheve natyrore, ndotjen e mjedisit, krijimin e mbeturinave si dhe po ndikojnë negativisht në shqetësimin e kafshëve të egra që jetojnë në këto zona me vlera të mëdha të biodiversitetit”, thuhet në njoftim.
Për të parandaluar këto aktivitete, AMMK ka vendosur edhe shenja informuese, ka shpërndarë shkresa informuese, ka kërkuar ndihmë nga Policia Kosovës që të ndalojë këto aktivitete, ka njoftuar inspektoratet përkatëse, por deri më sot nuk janë përfillur veprimet e AMMK përkatësisht të stafit të DAPK ‘’Sharri’’.
“Prandaj në javët në vazhdim me qëllim të parandalimit të këtyre aktiviteteve ilegale do të intesifikohen angazhimet në bashkëpunim me institucionet relevante, dhe do të veprohet përmes ndërmarrjes së masave shtesë në kuadër të së cilave ndaj kryerësve të këtyre veprimeve do të shqiptohen gjoba bazuar në legjislacionin në fuqi, do të konfiskohen mjetet motorike si dhe do të ngriten kallëzime penale për shkeljet ligjore. Andaj AMMK përkatësishtë Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, paralajmëron të gjithë ata që janë duke kryer këto veprime që të tërhiqen nga këto aktivitete ilegale, sepse në të kundërtën do të përballen me masa ligjore përkatëse”, thuhet në komunikatë.
The post Aktivitetet ilegale të mjeteve motorike në Sharr do të përballen me masa appeared first on Kosovapost.net.