Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë kundër pesë personave të dyshuar për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Sipas aktakuzës, i pandehuri A.R. në mënyrë të vazhdueshme nga data 18.07.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 22.09.2022, në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar – ekzaminerit, ka ndihmuar disa kandidat me rastin e testimit teorik për patentë shofer, duke u treguar pyetjet e sakta, ashtu që të njëjtit kanë arritur që ta kalojnë testin teorik dhe të fitojnë kushtin për pjesën praktike.
“Me këto veprime i pandehuri A.R. ka kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga KPRK-së”, thuhet në njoftim.
I pandehuri L.G. sipas aktakuzë me datën 18.07.2022 në Pejë, në cilësinë e personit zyrtar, asistent administrativë në njësinë për patentë shofer në Pejë, pasi një kandidat bie disa herë nga provimi për patentë shofer, i mundëson paraqitjen e provimit pa kryer fletëpagesën.
“…përkatësisht duke shfrytëzuar fletëpagesën e provimit të kaluar për të cilën i ishte nënshtruar njëherë dhe më pas kandidati të njëjtën ditë kur e paraqet provimin, futet në të dhe e kalon testin teorik, duke fituar kushtin për t’iu nënshtruar pjesës praktik. Me këto veprime i pandehuri L.G. ka kryer vepër penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga KPRK-së”, bëhet e ditur në njoftim.
Ndërkohë, të pandehurit D.T., A.A. dhe F.T., nga data 06.01.2022 e në vazhdimësi gjer me datën 13.09.2022 në Deçan, si zyrtar të një auto shkolle, përkatësisht instruktor profesional të licencuar, i plotësojnë disa kandidatëve librezën e orëve kinse të kryera, ani pse kandidatët nuk kanë qenë fare në Kosovë atë kohë dhe në këtë mënyrë të njëjtit më pas i nënshtrohen provimit për patentë shofer.
“Me këto veprime të pandehurit D.T., A.A. dhe F.T. kanë kryer vepër penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga KPRK-së”, theksohet në njoftim.
Bëhet e ditur se, prokurori i rastit me rastin e ngritjes së aktakuzës përpos që ka kërkuar dënimin e të pandehurve, ka propozuar edhe shqiptimin e dënimit plotësues ndalimi i ushtrimit të funksioneve në administratën publike ose në shërbimin publik dhe ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.
The post Aktakuzë ndaj pesë personave në Pejë për keqpërdorime me patentë shoferë appeared first on Kosovapost.net.