Prokuroria në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj një të dyshuari, për shitblerje të marihuansë.
“Me datë 24.01.2025, policia pas marrjes së informatave lidhur me të pandehurin, se ishte duke bërë shitjen dhe shpërndarjen e narkotikëve, vërejnë veturën e markës ‘Golf 2’ e cila futet dhe del nga shtëpia e të pandehurit, të cilën veturë më pas e kontrollojnë, dhe aty arrijnë të gjejnë nën ulësen e shoferit një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit ‘marihuanë’, dhe më pas rreth orës 20:03 min, gjatë zhvillimit të kontrollit nga ana e policisë, i pandehuri merr një qese te substancës narkotike të cilën e fut nën xhaketë dhe arrin të largohet në pjesën malore afër shtëpisë”, thuhet në njoftim.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, në dhomën e të pandehurit thuhet se janë gjetur një qese me substancë narkotike të llojit marihuanë me peshë prej 15 gramë, një qese me substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 1.76 gram dhe një qese plastike ngjyrë e bardhë brenda saj e një qese ngjyre e zezë e mbushur me substancë narkotike e llojit marihuanë me peshë prej 663.73 gramë.
“Me këto veprime, i njëjti ka kryer veprën penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge’ sipas KPRK-së. Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, i pandehuri i lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.