Aktakuza për rezervat shtetërore ndaj ministres Rozeta Hajdari, reagimi i saj dhe deklaratat nga partitë tjera

Prokuroria Speciale e Kosovës të martën ka dorëzuar aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj katër personave nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Zbulimi i fshehtësisë zyrtare” dhe “Ndihma në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Të pandehurit Rozeta Hajdari, I.L. dhe H.G. akuzohen se gjatë muajve shkurt – mars 2022, kanë keqpërdorur detyrat zyrtare me qëllim përfitimi pasuror për persona të tjerë, duke shkaktuar dëm ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës prej 2,912,134.78 euro.

Sipas aktakuzës, ata gjithashtu kanë zbuluar fshehtësinë zyrtare të vendndodhjes së rezervave shtetërore, duke ia vënë këtë informacion në dispozicion të pandehurit R.M.

R.M. akuzohet për ndihmë në kryerjen e këtyre veprave penale, duke ndërmjetësuar, negociuar dhe rekomanduar përzgjedhjen e operatorëve ekonomikë në emër të rezervave shtetërore.

Prokuroria thekson se ky proces është pjesë e hetimeve për veprime që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme për buxhetin e shtetit dhe përbëjnë shkelje të ligjit për rezervat shtetërore të mallrave.

E lidhur me këtë ka shkruar në Facebook, ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari.

Ajo përmes një postimi në Facebook bëri të ditur se është njoftuar nga avokati i saj për dorëzimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Çdo gjë është pjesë e një procesi tepër të rëndësishëm për të gjithë ne. Sapo të kem pranuar dokumentin e plotë të aktakuzës do të deklarohem më gjerësisht për media”, ka shkruar Hajdari.

Ajo gjithashtu theksoi se ndihet krenare për punën e saj si ministre në sigurimin e rezervave shtetërore me produkte esenciale gjatë muajve shkurt dhe mars 2022, në kohën më të vështirë për vendin.

Pas lajmit për aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari ka reaguar ish ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Deputetja Haxhiu ka deklaruar se hetimet ndaj Hajdarit janë “të ndikuara”, ndërsa aktakuza, sipas saj, është “e motivuar politikisht dhe pa bazë reale”.

“Kjo aktakuzë është e motivuar politikisht, pa asnjë bazë reale dhe dukshëm e qëllimshme. Ministrja ka bërë gjithçka që ka qenë në dorën e saj për të mbrojtur interesin e vendit dhe për të siguruar që Kosova të ketë rezerva shtetërore, ndryshe nga qeveritë e kaluara që kishin lënë vendin pa rezerva. Është e qartë se ekziston një tendencë për të njollosur figurën e saj”, ka shkruar Haxhiu në një reagim publik

Po ashtu, reagime ka pasur edhe nga zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Sekretarja e përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku në një postim në rrjetin social Facebook ka theksuar se të gjitha vendimet janë marrë me aprovimin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përcjell Telegrafi.

“Në fakt, Rozeta, sikurse edhe të gjithë kolegët e saj në kabinetin Kurti 2, nuk ka bërë as edhe një hap pa dijeninë dhe aprovimin e A.K. Ka qenë e qartë për këdo që A.K. nuk ka pasur ministra me mandat të plotë e me autoritet vendimmarrës. Ka pasur ndihmës, zbatues të urdhrave të tij”, ka shkruar Çitaku.

Edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami ka reaguar pas ngritjes së aktakuzës ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Rozeta Hajdari, në lidhje me kontraktimin e rezervave shtetërore.

Përmes një postimi në Facebook, Bajrami ka thënë se është befasuar që kryeministri Albin Kurti nuk është përfshirë në aktakuzë, duke e akuzuar atë për lejimin e blerjeve dhe tenderëve sekret me vlera të larta.

“Albini ka marrë vendim me ba blerje sekrete të miellit e vajit. Albini ka leju me u nënshkru mbi 2,400 tenderë sekret, në vlerë prej 270 milionë euro. Albini ka leju ‘mafinë energjetike’ dhe rreth 800 milionë euro import të rrymës. Andaj edhe unë dhe gjithë ata që e duan këtë Republikë kemi probleme me Albin Kurtin! U befasova se si ai nuk qenka pjesë e aktakuzës!”, ka shkruar Bajrami.