Aktakuza për Banjskën, Kurti: Ka mundur të ngritet shumë më herët, por më mirë vonë se kurrë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka komentuar ngritjen e aktakuzës për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, gati një vit që kur ka ndodhur rasti.

Kurti tha se ende nuk e ka parë aktakuzën, por tha se ka mundur të ngritet shumë më herët. Megjithatë, kryeministri përdori shprehjen popullore “më mirë vonë se kurrë”.

“Nuk e kam parë aktakuzën, por jam i bindur që ka mundur të ngritet shumë më herët dhe sot të ndodhemi në një situatë të re. Por natyrisht, siç thotë populli më mirë vonë se kurrë, por megjithatë duhet ta shohim përmbajtjen e saj që të flasim për të. Ajo që ne insistojmë vazhdimisht kudo që ndodhemi, e kam thënë edhe në Bruksel herën e fundit në takimin e nivelit të lartë që isha, që Radoiçiqi duhet t’i dorëzohet autoriteteve të Kosovës sepse krimin e ka kryer në Kosovë, Banjska është në Zveçan të Kosovës, duhet ta tërheqin atë letrën e Bërnabiq me të cilën ajo ka hequr dorë nga zotimi i Serbisë për Marrëveshjen Bazike dhe aneksin dhe së treti duhet të nënshkruhet marrëveshja bazike. Një marrëveshje e panënshkruar po shihet se është një marrëveshje shumë kollaj për të mos u respektuar”, u shpreh Kurti.

Prokuroria Speciale ka bërë të ditur të mërkurën se ka ngritur aktakuzë ndaj 45 personave të dyshuar për përfshirje në këtë rast.

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj arsyetoi “vonesën” gati njëvjeçare për ngritjen e aktakuzës, duke thënë se pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të cilat janë kryer jashtë vendit, ishte shkaku i vonesës së kësaj aktakuze.

“Për ta ngritur aktin akuzues na është dashur të presim gjatë, ndoshta edhe një vit. Pranimi i rezultateve të ekzaminimeve të cilat janë kryer jashtë vendit, ishte ndoshta shkaku kryesor i vonesës së kësaj aktakuze. Pasi kemi pranuar këto raporte, sot Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzën në këtë rast”, tha Isufaj.

Ndërkaq, prokurori i rastit, Naim Abazi tha se ky rast përfshin ngritjen e aktakuzës kundër një grupi të strukturuar kriminal të përbërë nga 45 persona të cilët dyshohen për veprat penale kundër rendit kushtetues juridik, kryerja e veprave terroriste, financim të terrorizmit dhe shpëlarje parash.

Prokurori Abazi tha se vende të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë ndihmuar Prokurorinë për të siguruar dëshmi “të rëndësishme” dhe “thelbësore” për çështjen e financimit të këtij grupi. /Reporteri.net/