Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka njoftuar të martën, më 31 dhjetor 2025, se ka ngritur aktakuzë ndaj 15 personave për keqpërdorime me tenderë në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Sipas njoftimit, aktakuza përfshin tre persona juridikë dhe 12 persona fizikë, të cilët dyshohen për “dallavere me tenderë”, me ç’rast, sipas Prokurorisë, buxheti i shtetit është dëmtuar në vlera milionëshe. Prokurori special Dren Paca ka bërë të ditur se kompania “A&F Projekt” Sh.P.K. kishte furnizuar MASHT-in me shporta të vogla për klasa me çmim prej 220 euro për copë, ndonëse “çmimi real i tregut për një shportë të tillë ishte vetëm 12 euro”.
Sipas aktakuzës, “diferenca në mes çmimeve të tregut dhe çmimeve furnizuese ka qenë 241,072.00 euro”. Prokuroria ka theksuar se vetëm ky pozicion i kontratës i ka kushtuar Ministrisë 254,980.00 euro, ndërsa sipas çmimeve reale do të kushtonte 13,908.00 euro.










