Akt heroik: Gjilanasi shpëtoi gruan e cila dyshohet se ishte shtatzënë

Faton Tahiri, ka bërë një akt heroik duke shpëtuar një grua e cila raportohet se ishte shtatzënë.

Gjilanasi arriti ta parandalojë një tragjedi pas rënies së veturës në Liqenin e Livoqit.

Pak momente pasi ai arriti ta nxjerrë gruan, vetura u zhyt plotësisht.

Pamjet nga momenti kritik, u publikuan edhe nga mediat lokale.

E për aktin heroik të këtij burri, ka reaguar sot edhe gazetari i Klan Kosovës Enis Reçica, i cili i bëri thirrje kryetarit të Gjilanit Alban Hysenit, që të nderojë këtë qytetar për veprimin e bërë.

“E jashtëzakonshme dhe heroike ajo që bëri dje gjilanasi Faton Tahiri. Ai shpëtoi jetë, dhe shpëtimi i një jete, fetarisht, vlerësohet sikur të shpëtosh gjithë njerëzimin.

Ai arriti ta nxjerrë nga vetura një grua, e cila raportohet se ishte shtatzënë. Ajo humbi kontrollin e veturës dhe ra në Liqenin e Livoqit, në Gjilan. Vetëm pak sekonda pasi Fatoni e largoi atë nga vetura, ajo u fundos plotësisht.

Kryetar Alban Hyseni, ke mundësinë dhe nderin besoj, ta nderosh një hero me një vlerësim për qytetari aktive”, shkroi Reçica, duke i bashkangjitur edhe pamjet nga rasti në fjalë.