Aksioni në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve, shoqërohet në polici u.d. drejtoresha

Ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), Igballe Rexha-Jashari dhe dy zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie që funksionon nën ombrellën e Ministrisë së Tregtisë, janë shoqëruar në stacionin policor për t’u intervistuar.

Tre zyrtarët e agjencisë shtetërore do të intervistohen në kuadër të një hetimi të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Një kontroll policor ka nisur sot në zyrat e agjencisë lidhur me hetimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikimit të dokumenteve, sipas Prokurorisë së Prishtinës.

Prokuroria tha se “gjatë këtij aksioni janë kryer bastisje në Agjencinë e Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), institucion që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë”.

“Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit”, tha Prokuroria në një komunikatë për media.

Bashkë me u.d. drejtoreshen Rexha-Jashari, në stacionin policor janë shoqëruar edhe zyrtari për procesimin e të dhënave, Albin Isufi, si dhe aprovuesja e lëndëve në këtë agjenci, Florije Lecaj, raportoi sot bazuar në burime Gazeta Express, transmeton Paparaci.

Agjencia për Regjistrimin e Bizneseve është një agjenci e cila është praktikisht një databazë e bizneseve të Kosovës. Agjencia lëshon certifikatat e hapjes dhe mbylljes së bizneseve, si dhe bën regjistrime në pronësinë e tyre. /Paparaci.com