Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, gjatë një aksioni simbol të mbajtur nga ky subjekt pran urës së Ibrit, ka kritikuar veprimet e deritashme të Qeverisë dhe të kryeministrit Albin Kurtit.
Në këtë aksion, anëtarët e PSD-së e kanë prezantuar një pankartë, të cilën e kanë titulluar “Rrugëtimi i Kurtit” e që në të shkruhen edhe veprimet e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës.
Postimi i plotë:
Udhëkryqi i Kurtit: autonomi ose izolim
Për më shumë se 3 vite u tha që veriu është problem i krimit; sipas pushtetit, kriminelët u hoqën. U tha që veriu është problem i institucioneve paralele që po funksionojnë atje; sipas pushtetit, ato dita-ditës po mbyllen.
Pasoja e këtyre veprimeve është e kundërta e integrimit e progresit. Ndarja etnike u thellua si asnjëherë më parë që nga shpallja e pavarësisë. Në tē njëjtën kohë, Kosova s’ka qenë kurrë më e izoluar ndërkombëtarisht. Veprimet në veri janë katalizator i autonomisë substanciale atje, ose i izolimit të plotë të Kosovës.
Ky udhëkryq është rezultati i gati 4 viteve qeverisje të Kurtit.
Shënjuesi më i qartë politik e diskursiv është Ura e Ibrit. U tha që hapet sepse është çështje e sovranitetit të Kosovës e jo temë e agjendës së dialogut. Ku është hapja? Ku mbeti sovraniteti? Ai po shkërmoqet tani para këmbëve të KFOR-it. Sovraniteti do duhej të ishte fjala e fundit e jo mjet i përdorshëm që hidhet tutje në rezistencën e parë. Për ashtu, sovraniteti s’ka potencë përveç oportunizmit elektoral.
Zhvillimet rreth urës duhet të jenë mundësi që t’i thërrasim mendjes. Na duhet një zgjidhje që sjell njohje reciproke. Kjo zgjidhje është mundësi për paqe të përhershme. Kjo zgjidhjë është ripërcaktimi i kufijve. Serbët e veriut, ashtu edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës duhet të vendosin për të ardhmen e tyre.