Aksioni i Policisë në Prizren, arrestohet një komisioner i partisë së Emilja Rexhepit

Një komisioner i partisë së Emilja Rexhepit, Nova Demokratska Stranka (NDS), është arrestuar të premten pas një aksioni të Prokurorisë e Policisë lidhur me procesin e numërimit të votave në Prizren.

Avokati i të dyshuarit, Blend Gjini, e ka cilësuar arrestimin e tij si të paligjshëm.

“Është arrestuar për manipulim të votave, nuk ka asnjë provë që lidhet me këtë çështje të manipulimit. Është e cuditshme për mua si avokat imponimi i dorëzimit të telefonit menjëherë. Klienti e ka dorëzuar telefonin vullnetarisht dhe arrestimit. Arrestimi është i paligjshëm”, ka thënë ai.

Gjini ka konfirmuar se i arrestuari është komisioner i Nova Demokratska Stranka (NDS), që drejtohet nga Emilja Rexhepi.

Paparaci raportoi para pak minutave se në mesin e të arrestuarve është edhe djali i Nait Hasanit, Art Hasani.

Siç raportoi Paparaci mëngjesin e të premtes, Prokuroria kreu bastisje në disa lokacione në Prizren lidhur me keqpërdorimet në zgjedhje.

Rreth 100 persona dyshohet se janë arrestuar për shkak të mashtrimeve zgjedhore, i thanë burimet Paparacit.

Arrestimet në Prizren ndërlidhen me keqpërdorimin e votave të kandidatëve për deputet.

Rinumërimi ka mbaruar në 19 komuna, derisa procesi është duke vazhduar në 19 komuna të tjera.