Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, që ka të bëjë me keqpërdorimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve.
Konferenca është paralajmëruar të mbahet në ora 14:00.
“Ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prizren, përkatësisht Kryeprokurori z. Petrit Kryeziu së bashku me Policinë e Kosovës, do të mbajë sot (08 Janar 2026) konferencë për media lidhur me aksionin e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, që ka të bëjë me keqpërdorimet në Byronë Kosovare të Sigurimeve. Konferenca do të mbahet në orën 14:00, në objektin e Prokurorisë Themelore në Prizren, kati tretë, Salla e Takimeve”, thuhet në njoftim.
Një aksion i madh u zhvillua sot në disa komuna të Kosovës, i udhëhequr nga Prokuroria e Prizrenit. Në aksion morën pjesë numër i konsiderueshëm i prokurorëve të Prokurorisë Themelore të Prizrenit.
Siç është bërë e ditur deri më tani, në pranga të policisë kanë rënë dy ish zyrtarët e BKS-së, Sami Mazreku, ish-drejtor dhe ish-drejtori i Financave, Valon Berisha.
Byroja Kosovare e Sigurimeve (BKS) ka njoftuar se aksioni i drejtuar nga Prokuroria Themelore në Prizren, është iniciuar nga vetë BKS-ja në cilësinë e palës së dëmtuar, si rezultat i konstatimeve të identifikuara në raportin e Auditimit të Brendshëm. /Reporteri.net/










