Aksion në Ministrinë e Infrastukturës për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Policia jep detaje

Policia e Kosovës është duke kryer një aksion në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, ka konfirmuar aksionin për Reporteri.net, teksa tha se lidhet me keqpërdorim të detyrës zyrtare.

“Policia e Kosovës me njësitë e saja relevante, me autorizim të Prokurorisë kompetente, sot në Prishtinë është duke kryer hetime ndaj disa personave mbi dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Pas përfundimit dhe kompletimit të zhvillimeve policore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë mund të bëhen publike informacione shtesë”, ka deklaruar Kelani.


Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Prishtinës, Zejnullah Gashi, ka deklaruar për Reporteri.net se aksioni nuk lidhet me ta.

Reporteri.net ka pyetur edhe Prokurorinë Speciale, nëse aksioni është me autorizim të tyre, por deri tash s’ka marrë përgjigje. As nga Ministria s’ka ende ndonjë reagim./Reporteri.net






Haxhiu thotë se Kurti i ka votat, por nuk shpjegon pse nuk po ja jep asaj për Kryeparlamentare

Reporteri

11 Qershor 2025 | 22:30

E propozuara nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se Albin Kurti i ka votat e nevojshme për formimin e qeverisë.

E pyetur se përse ato vota nuk po përdoren për ta zgjedhur atë si kryetare të Kuvendit edhe pas 30 dështimeve, Haxhiu u shpreh se “kështu është situata për momentin dhe nuk mund të bëjmë publike pse ne themi kështu.”

“Unë e di që kryeministri i ka votat. Qasi soj është situata për momentin dhe nuk mund të bëjmë publike pse ne themi kështu. Unë mendoj që pikërisht për këtë opozita s’na voton.”, tha ajo.

Haxhiu tha se partitë e deritashme opozitare e dinë që Vetëvendosje i ka votat për Qeverinë Kurti 3.

Haxhiu po ashtu është shprehur skeptike se Gjykata Kushtetuese do të mund të zgjidhë ngërçin institucional që ka pamundësuar konstituimin e Kuvendit.

“Nuk kam besim se Gjykata Kushtetuese përmes një vendimi do të na japë rrugë për zgjidhje. Çështja është se nuk ka objekt”, tha Haxhiu në RTK.

Ajo theksoi se kërkesa e dorëzuar nga AAK në Kushtetuese nuk ka bazë të mjaftueshme për shqyrtim, pasi mungon një vendim të Kuvendit që do të mund të kontestohej.

“Nuk ka një vendim të miratuar nga Kuvendi që të mund të konsiderohet si objekt i ankesës për Gjykatën Kushtetuese”, shtoi Haxhiu, duke lënë të kuptohet se zgjidhja e bllokadës aktuale kërkon një vullnet të ri politik dhe jo vetëm ndërhyrje juridike.

 






Haziri nuk e përjashton Kurtin si kryeministër në qeverinë e tranzicionit

Reporteri

11 Qershor 2025 | 22:08

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se në skenën politike aktuale janë tri opsione për dalje nga ngërçi institucional: ajo e Vetëvendosjes me partnerët e saj, opsioni i PDK-së, dhe ai i LDK-së për një qeveri kalimtare.

Ai në Debat Plus ka theksuar se në këtë fazë, liderët politikë duhet të dakordohen për formatin dhe agjendën e një qeverie tranzitore që do ta udhëhiqte vendin për një periudhë të kufizuar.

“LDK-ja ka dalë që me liderët politikë të organizojë formatin e kësaj qeverie bashkë. Tani si merren vesh, është çështje e tyre. Tavolina e bisedimeve duhet me ua lënë në besim liderëve”, ka deklaruar Haziri në Debat Plus.

I pyetur nëse Albin Kurti mund të jetë kryeministër në këtë formulën e LDK-së, Haziri nuk e përjashtoi një gjë të tillë.

“Unë nuk thash që nuk është. Një qeveri të tranzicionit, propozimi është i yni, ashtu siç dakordohen liderët”, ka thënë ai, duke shtuar se partia që ka më shumë peshë në Kuvend, natyrshëm ka më shumë fjalë edhe në ndarjen e përgjegjësive.






Limaj: Me Kurtin arritëm marrëveshje për kryetar të Kuvendit, të nesërmen propozoi Haxhiun

Reporteri

11 Qershor 2025 | 21:35

Fatmir Limaj ka shpalosur detaje të takimeve sy më sy, që pati me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurtin.

Ai madje ka zbuluar për herë të parë se kishin arritur marrëveshje për postin e kryetarit të Kuvendit me Kurtin, një natë para seancës ku do të propozohej emri për krye kuvendar.

Pavarësisht se sipas Limajt, ai dhe Kurti kishin pasur marrëveshje xhentëlmenësh për këtë post, që tash e 30 seanca ka bllokuar konstituimin e kuvendit, pikërisht në atë seancë ishte propozuar emri i Albulena Haxhiut, e cila është bërë tashmë simbol i bllokadës.

“[Kur keni kërkuar partneritet në kuvend, për postin e kryeparlamentarit?], Sigurisht, Kurti ka pas nevojë me diskutu, njëjtë edhe unë. Të nesërmen jemi takuar vetëm ne të dy në kryeministri…Kemi pasur një marrëveshje xhentellmene, gojore. Jemi pajtuar, ka mbetur që ai me shku me propozu tek organet e veta, partnerëve të vetë edhe unë organeve të mija. Takimi është kryer në 11 në mbrëmje, takimi ka filluar në ora 8 ose 9 në mbrëmje. Marrëveshje me shkrim nuk kemi pas, vetëm dakordim gojor. E kemi cakërruar këtë marrëveshje me ujë. Jemi dakorduar, si marrëveshje mes xhentellmenëve. [Marrëveshja ka qenë që të nesërmen ju të votoheni si kryetar i kuvendit?] – Po marrëveshja kështu ka qenë. Unë i thash Kurtit nuk jam i interesuar për qeveri, nëse donë partneritet është kjo, nëse i donë numrat”, tha Limaj në Klan.






Haziri: Kërkesat opsionale Hamza duhej t’i bënte më 10 shkurt, jo më 10 qershor

Reporteri

11 Qershor 2025 | 21:28

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka kritikuar PDK-në dhe Lëvizjen Vetëvendosje për mënyrën si po e trajtojnë krizën politike që po zgjat prej zgjedhjeve të 9 shkurtit.

Haziri ka theksuar se PDK-ja është dashur të veprojë menjëherë pas zgjedhjeve me kërkesa opsionale dhe jo të bëj deklarime me vonesë, më 9 e 10 qershor.

Sipas tij, përpjekjet për bashkëpunim me PDK-në kanë ekzistuar dhe kanë qenë konstruktive, ndryshe nga ajo që ai e cilëson si “bashkëpunim tejet zyrtar” me VV-në.

“Prej 9 shkurtit çfarë është dashur ta bëjë zoti Hamza dhe PDK-ja është që në 10 shkurt në mëngjes me definu kërkesën opsionale edhe me pas veprim opsional për këtë çështje, e jo me 10 qershor e 9 qershor me komuniku, unë e di që në debat… Kemi provuar, ka pasur takime politike, komunikim politik, ka pasur takim të vogla të rralla, komunikimi nuk ka munguar. Krejt është në kudër të një bashkëpunimi politik që është i mirë dhe i cili ka munguar me partinë e parë”, ka deklaruar ai, në Debat Plus të RTV Dukagjini.

Ai ka thënë se LDK-ja ka lexuar drejt mesazhin politik të liderit të VV-së për ndërtimin e institucioneve me LDK-në.

“Defacto në funksion të komunikimit politik nuk ka pasur, komunikimi i partisë së parë me LDK është komunikim me letra. Nuk është asgjë e keqe, por në rastet kur punojnë partitë me zgjidh problemin komunikimi me letra tregon nivelin edhe formatin e bashkëpunimit. Ky bashkëpunim është tejet zyrtar. Letra shpreh dëshirën politike, vullnetin politik, me kunja shpeshherë, edhe pse LDK-ja e ka lexuar drejt që është vullnet politik i liderit te VV-së me ndërtu me institucione me LDK-në”, ka deklaruar Haziri.

“Opsioni ynë është i qartë: ndërtimi i një qeverie të përbashkët. Në këtë formulë nuk fiton e as nuk humb askush, fiton demokracia parlamentare”, ka shtuar Haziri.

Në fund, ai përmendi edhe rolin e Listës Serbe, duke theksuar se edhe pse janë të certifikuar si deputetë, ata janë përjashtuar nga formula e re e përbërjes së Kuvendit dhe nuk po marrin pjesë në funksionimin e tij.






Haradinaj: Seancave të Kuvendit u ka humbur kuptimi, situata është për keqardhje

Reporteri

11 Qershor 2025 | 11:44

Deputeti i AAK-së, Daut Haradinaj, ka deklaruar se seancat e kuvendit kanë humbur kuptimin dhe se shumica e deputetëve kanë të drejtë t’i bojkotojnë ato.

Sipas tij, me këtë situatë vendi është duke shkuar drejt zgjedhjeve të reja.

“Mendoj që shumica e deputetëve kanë të drejtë të bojkotojnë kuvendin dhe po duket që jemi duke shkuar drejt zgjedhjeve. Se kur do të marrë epilog, do të shohim. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese që pritet të dalë shpejt, mund t’i japë epilog të caktuar”.

I pyetur se a rrezikojnë pragun nëse shkojnë në zgjedhje të reja, siç janë duke pretenduar partitë e tjera, ai tha se AAK-ja do të jetë gjithmonë këtu dhe se do të jetë subjekt serioz.

“Edhe ne jemi të gatshëm gjithmonë sepse jemi parti politike, ne i kemi pritur zgjedhjet lokale dhe mendoj që do të dalim shumë suksesshëm, por pse jo edhe nëse janë zgjedhjet nacionale në të njëjtën kohë, janë të mirëseardhura. Më vjen mirë që kanë kohë me u marrë me Aleancën…, por siç po e shihni, prapë Aleanca do të jetë këtu dhe do të jetë subjekt shumë serioz politik”.