Njësitë Antikontrabandë të Doganës së Kosovës, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë realizuar një aksion të përbashkët në rajonin e Leposaviqit, pas pranimit të një informate operative për një automjet të dyshuar që mund të transportonte mallra të kontrabanduara pa dokumentacion përcjellës.
Sipas njoftimit, në rastin e parë, gjatë patrullimit dhe kërkimeve në zonë, njësitë kanë hasur një automjet të braktisur në një rrugë anësore, i cili ishte i hapur dhe pa shofer. Brenda tij janë gjetur thasë plastikë dhe një sasi e konsiderueshme çokollatash të markave Snickers dhe Kinder, të mbuluara me letër kartoni. Automjeti ishte pothuajse i mbushur plotësisht me mallra dhe është dërguar në Terminalin Doganor të Mitrovicës.
Në rastin e dytë, njësitë antikontrabandë ndaluan një automjet tjetër që transportonte pako me mallra të ndryshme.
Pas kontrollit u konstatuan kryesisht produkte ushqimore, pije joalkoolike dhe artikuj higjienikë, për të cilat shoferi nuk posedonte dokumentacion ligjor. Edhe ky automjet është dërguar në Terminalin Doganor të Mitrovicës për inventarizim të mallit.
The post Aksion kundër kontrabandës në Leposaviq appeared first on Kosovapost.net.