Një aksion ka nisur mëngjesin e sotëm edhe në Gjakovë, në kuadër të hetimeve për dyshime serioze rreth manipulimit të rezultateve zgjedhore.
Nën hetim janë disa komisionerë të qendrave të votimit, të cilët dyshohet se kanë ndërhyrë në procesin e numërimit dhe administrimit të votave.
Raportohet se hetimet po zhvillohen në bashkëpunim me prokurorinë, ndërsa detaje zyrtare pritet të publikohen pas përfundimit të veprimeve procedurale.
Ndryshe, koordinatorja nacionale e zgjedhjeve nga prokuroria e shtetit, Laura Pula, ka deklaruar të martën se të gjitha prokuroritë në Kosovë tashmë kanë lëshuar autorizime për grumbullimin e informacioneve ndaj personave që dyshohet se kanë manipuluar apo falsifikuar procesin e numërimit të votave.
Pula ka theksuar se për veprën penale të falsifikimit parashihet dënim deri në pesë vjet burgim, duke qenë se bëhet fjalë për persona zyrtarë të emëruar.
“Hetimet do të tregojnë se si është kryer ky falsifikim i rezultateve. Asnjë nga ta nuk do të amnestohet dhe kushdo që ka shkelur vullnetin e lirë të votuesit do të ballafaqohet me forcën e ligjit”, ka thënë ajo.










