Aksion i madh në Zubin Potok e Zveçan: Prokuroria Speciale me bastisje në 9 lokacione për vrasje të rëndë

Prokuroria Speciale po zhvillon një aksion në pjesën veriore të Kosovës.

Fjala është për Zveçan dhe Zubin Potok, ku po kryhen bastisje në 9 lokacione. Kështu është bërë e ditur me një komunikatë për media.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke zhvilluar një operacion policor në Komunën e Zubin Potokut dhe të Zveçanit. Hetuesit policorë nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, janë duke e zbatuar një urdhër të Gjykatës, me kërkesë të Prokurorisë Speciale, për të kryer bastisje në nëntë ( 9 ) lokacione, nën dyshimin për kryerjen e veprave penale: Rrezikimin e personelit të Kombeve të Bashkuara ose personelit në marrëdhënie me to; Vrasje të Rëndë; Sulm ndaj personit zyrtarë gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”, thuhet në njoftimin për media.

Prokuroria ka bërë të ditur se operacioni po mbështetet edhe nga njësitet e tjera të Policisë, dhe se opinioni do të njoftohet sërish në fund të aksionit.

“Operacioni po mbështetet edhe nga njësi të tjera relevante të Policisë së Kosovës. Prokuroria Speciale bashkë me Policinë e Kosovës është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, në përputhje me Kodin e Procedurës Penale. Publiku do të njoftohet me detaje, pas përfundimit të operacionit”, thuhet në njoftimin për media.