Një aksion i koordinuar ndërmjet Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe Njësisë së Antidrogës së Policisë së Kosovës ka rezultuar me sekuestrimin e mbi 2 kilogramëve substancë narkotike të dyshuar si kokainë, si dhe konfiskimin e armëve të zjarrit, veturave dhe provave të tjera materiale.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, konfirmoi se aksioni ka nisur sot nga ora 15:00 në lagjen Veternik të Prishtinës, si pjesë e një mase të veçantë hetimore, dhe se operacioni është ende në zhvillim në disa lokacione të tjera.
“Sot, më 22.04.2025, Policia e Kosovës ka filluar një aksion taktik në kuadër të një mase të veçantë hetimore. Deri më tani janë arrestuar pesë persona të dyshuar dhe janë sekuestruar kokainë, armë zjarri, vetura dhe prova të tjera relevante,” deklaroi Hoxha.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka konfirmuar përmes një komunikate për media se operacioni është në vijim dhe se hetimet po vazhdojnë për të zbardhur plotësisht të gjitha rrethanat e rastit.
Sipas autoriteteve, pritet që aksioni të zgjerohet edhe në lokacione të tjera, ndërsa pas përfundimit të bastisjeve do të publikohen më shumë detaje rreth rezultateve konkrete të operacionit.