Aksidentohet autobusi me tri vetura në Prelez të Muhaxherëve, 4 persona të lënduar

Sonte në rrugën Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore. Si pasojë e aksidentit katër persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore.

Kanun Veseli, zëdhënës në policinë rajonale të Ferizajt, tha për Gazetën Express se për këtë rast është njoftuar edhe prokurori i shtetit.

Si dhe pas ndihmës së pranuar nga mjekët, të lënduarit janë liruar.

Konfirmimi i tij i plotë:

Me datën 26.01.2025, rreth orës 21:00, kemi pranuar një informatë për një aksident trafiku në rrugën magjistrale Ferizaj-Prishtinë, në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt. Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore.

Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë nga Njësia e Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes.

Përveç dëmeve materiale të shkaktuara në automjete, si pasojë e aksidentit janë lënduar katër persona. Ata janë transportuar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente në Ferizaj nga ekipet e autoambulancës.

Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit.

Më pas janë liruar të lënduarit.