Aksidenti me vdekje në Rahovec, gjykata ia cakton një muaj paraburgim shoferit të veturës

Gjykata Themelore në Gjakovë – Dega në Rahovec, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjakovës, duke i caktuar masën e paraburgimit një muaj të pandehurit A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të rrezikimit të trafikut publik, me pasoje vdekjen.

Sipas kërkesës, “më datë 02.11.2025, rreth orës 20:25, në Rahovec, nga pakujdesia vë në rrezik jetën e njerëzve në atë mënyrë që, duke drejtuar automjetin e tij të markës “VW Golf”, dhe duke mos i kushtuar kujdes të duhur rrugës dhe duke mos iu përshtatur lëvizjes dhe rrethanave të rrugës, në mënyrë të pasigurt bën kthim majtas duke mos respektuar përparësinë e kalimit të motoçikletës, e cila ka qenë duke lëvizur në përball kalim, ku me pjesën e parë të motoçikletës përplaset në automjetin e markës “Golf”, në krahun e djathtë, ku pas përplasjes drejtuesi i motoçikletës bie në asfalt, ku si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i veturës si dhe drejtuesi i motoçikletës kërkojnë ndihmë mjekësore në QKF – Rahovec, e më pas drejtuesi i motoçikletës dërgohet në Spitalin Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, por i njëjti ka qenë pa shenja jete.”

Me këto veprime i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale, ”Rrezikimi i trafikut publik” që rezulton me vdekje, të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim.

I pandehur do të mbahet në paraburgim në kohëzgjatje prej një muaji, i cili do të llogaritet prej kohës së arrestimit më 2 nëntor 2025 dhe do të zgjasë deri më 1 dhjetor 2025.