Aksident zinxhiror në magjistralen Ferizaj–Gjilan, përplasen katër mjete transporti

Rreth orës 17:00 të pasdites së hënës ka ndodhur një aksident trafiku në magjistralen Ferizaj–Gjilan, konkretisht në fshatin Mirosalë.

Lajmi është konfirmuar nga zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili bëri të ditur se në aksident janë përfshirë katër mjete transporti: një autobus, një kamionetë dhe dy furgonë.

Sipas Veselit, si pasojë e përplasjes, një person ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Viktimës i është ofruar ndihma e parë në vendin e ngjarjes nga ekipi i emergjencës.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të policisë, përfshirë hetuesit e aksidenteve të trafikut, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij incidenti.