Aksident trafiku me fatalitet në Vushtrri, vdes një 21 vjeçar

Një aksident me fatalitet raportohet të ketë ndodhur mbrëmë në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, saktësisht në fshatin Pestovë të Vushtrrisë.
Si fillim nga ky aksident u raportua për të lënduar, por si shkak i lëndimeve të rënda personi në fjalë nuk arriti t’u bëjë ballë plagëve.

Viktima në këtë rast ishte 21 vjeçar.

Njoftimi i plotë:

Me datë 06.11.2024 rreth orës 22:00, policia në Mitrovicë ka pranuar informatën se në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, në f.sh. Pestovë të Vushtrrisë ka ndodhur një aksident me lëndime te rënda në të cilin ishte përfshirë një automjet me targa vendore.

Personi i lënduar është dërguar për trajtim mjekësor, mirëpo rreth orës 00:40 të datës 07.11.2024 policia është njoftuar nga emergjenca e QKUK-së, se si pasojë e lëndimeve të pësuara në aksident, personi i lënduar i moshës 21 vjeçare ka humbur jetën.

Lidhur me rastin ështe njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër te tij trupi i pa-jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.