Një aksident i rëndë ka ndodhur në një vendpunim ndërtimi në fshatin Shkabaj të Obiliqit, ku një person ka mbetur i lënduar si pasojë e manipulimit të pakontrolluar të një vinçi.
Sipas raportimit, rasti ka ndodhur më 24 janar 2026, rreth orës 13:50. I dyshuari, mashkull shtetas i Shqipërisë, derisa ishte duke punuar pranë një objekti në ndërtim dhe duke vozitur kamionin, dyshohet se ka manipuluar në mënyrë të pakontrolluar me vinç, me ç’rast vinçi është këputur, ka rënë dhe ka lënduar viktimën, gjithashtu mashkull shtetas i Shqipërisë.
Viktima ka pësuar lëndime trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar nga Policia e Kosovës.
Me vendim të prokurorit të shtetit, pas intervistimit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të trajtohet në procedurë të rregullt për veprat penale “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikim i sigurisë në vendin e punës” si dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.









