Një nëpunës policor e ka humbur jetën, ndërsa një tjetër nëpunës është lënduar rëndë, ndërsa janë lënduar edhe dy persona të tjerë në Kumanovë, pasi në to është përplasur 40 vjeçari S.J. me automjetin e tij, kumtoi sot SPB Kumanovë.
Sipas policisë, 45 minuta pas mesnate në rrugën rajonale Kumanovë-Shën Nikollë në afërsi të udhëkryqit me lagjen “Ajduçka Çeshma”, automjeti motorik i udhëtarëve “mercedes”, me targa të Kumanovës, të drejtuar nga S.J. (40), është përplasur në 37 vjeçarin V.C. nëpunës policor dhe në 25 vjeçarin A.M. kandidat për nëpunës policor, të cilët ishin në detyrë zyrtare. V.C. ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa A.M. me lëndime të rënda trupore është dërguar në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” në Shkup.
S.J. me automjetin “mercedes” ka ikur nga vendi i ngjarjes, pas çka në rrugën rajonale Kumanovë-Shën Nikollë në afërsi të hotelit “Satelit” është përplasur në automjetin e udhëtarëve “shkoda” me targa të Kumanovës të drejtuar nga N.P. (34). Shoferi i automjetit “Shkoda” dhe bashkudhëtari D.J. (42) kanë marrë lëndime të rënda trupore, ndërsa A.J. (52) lëndime të lehta, me ç’rast D.J. është dërguar në kompleksin e klinikave “Nënë Tereza” në Shkup. ndërsa të lënduarit të tjerë janë dërguar në spitalin në Kumanovë.
S.J. është dërguar në spitalin në Kumanovë, ndërsa kundër tij gjatë ditës do të parashtrohet kallëzim penal.