Aksident detar në Greqi, lëndohen tre turistë nga Kosova

Një aksident detar është regjistruar mesditën e së martës pranë ishullit Diaporos, në zonën turistike të Halkidikit në Greqi.

Sipas autoriteteve portuale greke, një skaf me shtatë persona në bord gjashtë shtetas nga Kosova dhe një shtetas amerikan është përplasur në një breg shkëmbor.

Si pasojë e përplasjes, tre persona mbetën të plagosur. Fillimisht ata morën ndihmën e parë në Qendrën Shëndetësore të Agios Nikolaos, ndërsa më pas u transportuan në Spitalin e Përgjithshëm të Poligyros.

Të tre personat janë jashtë rrezikut për jetën dhe tashmë janë lënë të lirë nga spitali.

Skafi, i cili mësohet se ishte marrë me qira, është përmbysur pas përplasjes dhe më pas është tërhequr në breg.

Autoritetet e Portit të Ormos Panagias kanë nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e aksidentit. Deri më tani nuk raportohet për ndotje detare si pasojë e ngjarjes.

The post Aksident detar në Greqi, lëndohen tre turistë nga Kosova appeared first on Kosovapost.net.