“AK-47, mbi 150 fishekë dhe gëzhoja”, të shtëna me armë zjarri në Dollc të Klinës, deklarohen Policia dhe Prokuroria

Të dielën në polici janë raportuar të shtëna me armë zjarri në fshatin Dollc të Klinës.

Rastin e ka konfirmuar për reporterin zëdhënësi i policisë për rajonin e Pejës, Fadil Gashi.

“Rreth orës 8:00 të mëngjesit, Policia e Kosovës ka pranuar informatën për të shtëna me armë zjarri në Dollc të Klinës. Policia ju ka përgjigj vendit të ngjarjes dhe me të arritur ka takuar një person, të cilin e ka pyetur dhe ai ka refuzuar qe ka pasur të shtëna. Gjatë kontrollimit të terrenit kanë hasur në një armë. Policia, fillimisht ka gjetur një AK-47, dhe një karikatorë 30 fishekë”, tha Gashi.

Tutje Gashi tha se më vonë janë gjetur edhe 153 fishekë të tjerë. I dyshuari është arrestuar dyshohet për dy vepra penale.

Policia bëri të ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur edhe katër gëzhoja.

“Më vonë janë gjetur edhe 153 fishekë të tjerë. Janë gjetur katër gëzhoja. I dyshuari është arrestuar e më pas intervistuar. Është njoftuar prokurori dhe rasti është cilësuar “Përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim e paautorizuar e armëve”, tha Gashi.

Lidhur me rastin janë deklaruar edhe nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Zëdhënësi Shkodran Nikçi tha për reporterin se është ndaluar edhe një person tjetër.

“Me datë 23 mars janë pranuar informatat nga stacionin policor në Klinë për të shtëna me armë zjarri në fshatin Dollc. Pas veprimeve hetimore, në vend të ngjarjes janë gjetur gëzhoja të armëve, ku me pas ra rezultuar me bastisje dhe arrestimin e dy personave”, ka thënë Nikçi.

Nga Prokuroria thanë se dy të dyshuarit e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë, dhe dyshohet për dy vepra penale.

“Dy persona janë ndaluar për 48 orë me urdhër të prokurorit të shtetit, njëri për veprat penale “Përdorimi armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim e paautorizuar e armëve” dhe i dyshuari tjetër për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim e paautorizuar e armëve”, ka thënë Nikçi