Agjencia për Informim dhe Privatësi, pas publikimeve të fundit lidhur me një ngjarje tragjike ku një familje kosovare ka humbur një të afërm në një aksident të rëndë, u bën thirrje publike mediave për reflektim dhe respektim të privatësisë dhe të dhënave personale të qytetarëve.
“Është vërejtur se disa media kanë transmetuar pamje të ngjarjes dhe reagimet emocionale të familjarëve në momente dhimbjeje, me përmbajtje që cenojnë të drejtën për privatësi, dinjitetin njerëzor dhe parimet bazë të etikës gazetareske”.
Agjencia për Informim dhe Privatësi rikujton se të qenurit person publik nuk ia mohon askujt të drejtën për privatësi, sidomos në momente dhimbjeje personale dhe familjare. Publikimi i pamjeve të ndjeshme pa pëlqimin e familjes përbën shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe të legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale.
Në këtë drejtim, Agjencia ka kërkuar nga të gjitha mediat:
Të ndalojnë menjëherë publikimin dhe shpërndarjen e materialeve që cenojnë privatësinë e familjes së prekur, pa pëlqimin e tyre;
Të largojnë përmbajtjet ekzistuese që përmbajnë pamje të ngjarjes apo reagime të familjarëve, të publikuara pa pëlqimin e tyre.
Agjencia për Informim dhe Privatësi ju bën thirrje mediave për respektimin e privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve, sidomos në momente dhimbjeje.