AIP e dënon Komunën e Prishtinës me 3 mijë euro për fshehjen e kontratës 5.2 milionë euro me UNDP-në – rasti nen është dërguar në Prokurori në vitin e kaluar

Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) ka shqiptuar së fundmi gjobë prej 3000 euro ndaj Komunës së Prishtinës, për moslejimin e qasjes në dokumente publike, konkretisht në marrëveshjen kontraktuale të Komunës me UNDP-në, në vlerë prej 5.2 milionë euro, shkruan Demokracia.com.

Vendimi i AIP-së vjen pas refuzimit të Komunës së Prishtinës për t’i bërë publike dokumentet që lidhen me këtë marrëveshje milionëshe, duke shkelur Ligjin për Qasje në Dokumente Publike.

Ky rast është trajtuar nga Shefkiu në kuadër të AVONET-it, si pjesë e angazhimit për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale në menaxhimin e parasë publike.

Sipas AIP-së, moslejimi i qasjes në dokumente publike përbën shkelje serioze ligjore, ndërsa organizatat e shoqërisë civile e konsiderojnë këtë veprim si abuzim me paranë publike, duke ngritur dyshime për parregullsi, keqpërdorime dhe zhvatje në kuadër të projekteve që lidhen me këtë marrëveshje.

Rasti tashmë në Prokurori

Ndërkohë, Demokracia.com ka mësuar se  fundmi se Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) e ka dërguar këtë rast në Prokurori që vitin e kaluar, pas gjetjeve të rënda të evidentuara në raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Komunës së Prishtinës.

Sipas gjetjeve të auditimit, Komuna e Prishtinës i ka transferuar mbi 5 milionë euro Agjencisë së OKB-së për Zhvillim (UNDP) për dy projekte infrastrukturore që, sipas auditorit, nuk kanë asnjë punë të nisur. Paratë janë paguar paraprakisht, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit dhe Ligjin e Buxhetit.

Për një sallë multifunksionale në Tulltore dhe një tjetër koncertale në ish-objektin e Gërmisë, Komuna e Prishtinës ka lidhur më 5 shtator 2024 një marrëveshje me UNDP-në. Marrëveshja parashihte që Komuna të transferonte paraprakisht shumën prej 5,120,000 euro tek UNDP-ja një praktikë që, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, ka shkelur drejtpërdrejt legjislacionin në fuqi për menaxhimin e financave publike.

Auditori ka vërejtur se edhe pse këto para janë transferuar brenda katër muajve të fundit të vitit 2024, punimet nuk kanë nisur fare deri në fund të muajit shkurt 2025. Nga inspektimi fizik dhe konfirmimet elektronike nga vetë Komuna, del se projektet ndodhen ende në fazën e projektimit, me asnjë aktivitet konkret në terren.

5 milionë euro të derdhura paraprakisht në kundërshtim me ligjin

Sipas Ligjit për Prokurimin Publik dhe Ligjit të Buxhetit për vitin 2024, pagesat paraprake mund të bëhen vetëm në rast të kontratave të rregullta, të nënshkruara sipas ligjit dhe në vlerë jo më pak se 10,000 euro – dhe atë vetëm deri në 15% të shumës së kontratës. Në rastin konkret, Komuna i ka transferuar UNDP-së 100% të shumës së paraparë, pa raport të pranimit të mallrave, shërbimeve apo punimeve, dhe pa ndonjë dokumentim që do ta arsyetonte një paradhënie të tillë.

Pagesat janë kryer në këto faza:

  • Shtator: 3 pagesa me vlerë totale 900,000€

  • Tetor: 3 pagesa me vlerë 1,200,000€

  • Nëntor: 2 pagesa me vlerë 300,000€

  • Dhjetor: 3 pagesa me vlerë 2,720,000€

Për më tepër, UNDP-ja ishte zotuar të kontribuonte vetëm me 100,000 euro në këtë projekt, shumë e cila as që ishte e përfshirë në marrëveshjen mes palëve.

Edhe 80 mijë euro për ekspertë pa procedurë, pa kontratë dhe pa raporte pune

Një marrëveshje tjetër, e lidhur më 7 maj 2024 po ashtu me UNDP-në, i ka kushtuar Komunës 80,000 euro. Sipas pretendimeve, këto mjete janë shpenzuar për angazhimin e ekspertëve për menaxhimin e aseteve, planifikim urban dhe çështje ligjore. Por, sipas auditorit, nuk ekziston asnjë kontratë individuale, asnjë raport i punës, asnjë dëshmi për pagesa, dhe asnjë dokument që tregon kontributin konkret të këtyre ekspertëve.

Komuna ka dorëzuar vetëm një raport të përgjithshëm tremujor, pa datë, pa protokoll dhe pa asnjë përshkrim teknik të shërbimeve të kryera. Në mungesë të dokumentacionit, verifikimi i këtij shpenzimi është bërë i pamundur nga auditori.

Auditori: Ligji u anashkalua, fondet rrezikohen të shpenzohen pa kontroll

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, shmangia e procedurave të rregullta të prokurimit, mosprania e raporteve të pranimit, dhe marrëveshjet e paqarta me palën e kontraktuar kanë krijuar hapësirë për paqartësi, mungesë transparence dhe rrezik për keqmenaxhim të fondeve publike.

Në rekomandimin e tij, auditori kërkon që çdo kontraktim të bëhet në përputhje me ligjin, ndërsa çdo pagesë të mbështetet në dokumentacion të plotë dhe raport të pranimit të shërbimeve.

Komuna është pajtuar me këtë gjetje dhe ka pranuar rekomandimin.  /Demokracia.com/

Lexo edhe: