Rio Ferdinand argumenton se Ollie Watkins ‘meriton’ një transferim të madh pas viteve të tëra performancash të suksesshme me Aston Villan, pasi Arsenali është lidhur me një transferim të tij.
Ish-mbrojtësi anglez ka thënë se Watkins ka pasur paraqitje fantastike me fanellën e Villas dhe pikërisht falë paraqitjeve të tij kjo skuadër po luan në Ligën e Kampionëve.
“Mendoj se Watkins është një hero kulti këtu në Villa Park”, tha Ferdinand për TNT Sports në lidhje me 29-vjeçarin.
“Ai është një nga arsyet kryesore pse ata po luajnë futboll në Ligën e Kampionëve dhe në këtë nivel”.
“Mendoj se për çdo mbrojtës, ai është një ditë e vështirë pune, 100 përqind, ai i ka shtuar cilësi lojës së tij gjatë viteve të fundit”, deklaroi Ferdinand.
Ferdinand thotë se nuk befasohet që Arsenali e ka në listën e dëshirave Watkins dhe beson se sulmuesi anglez e meriton të transferohet në Emirates Stadium.
“Rruga e tij drejt majës nuk ka qenë konvencionale, pa akademi, ai ka punuar shumë këtu dhe meriton gjithçka që merr”.
“Nuk u befasova që Arsenali interesohet për transferimin e tij, sepse mendoj se ai e meriton këtë duke pasur parasysh performancat dhe punën që ka bërë”, deklaroi Ferdinand.
Në janar, oferta e Arsenalit për Watkins u refuzua nga Villa. Këtë verë, situata mund të ndryshojë pasi sulmuesi nuk luajti si titullar në disa nga ndeshjet më të mëdha të sezonit, përfshirë ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve me PSG-në.
29-vjeçari ka zhvilluar 51 ndeshje në të gjitha garat këtë edicion me fanellën e Aston Villas, derisa ka shënuar 16 gola dhe ka asistuar në 13 të tjerë.