Carlo Ancelotti i ka dalë në mbështetje brazilianit Vinicius Junior për ta rikthyer formën e tij në sfidën ndaj Arsenalit në Ligën e Kampionëve.
Vinicius Junior pati një natë për t’u harruar në ndeshjen e fundit të Real Madridit ndaj Valencias vikendin e kaluar.
Ai humbi një penallti kur rezultati ishte 0-0 ndonëse shënoi në pjesën e dytë, megjithëse, nuk ishte i mjaftueshëm për ta evituar humbjen.
Tekniku italian është pyetur në konferencën për shtyp për Vinicius dhe ai ka besim të plotë se ylli i Real Madridit do të zhvillojë një ndeshje të madhe ndaj ‘Topçinjve’.
“Nuk kam folur me të. E di shumë mirë se ai ka mundur të luajë më mirë. Ai do të ketë një ndeshje të madhe nesër”, ka thënë Ancelotti.
Tutje ai u ndal për të folur edhe për të ardhmen e tij, mes shumë thashethemeve se ky është sezoni i tij i fundit në stolin e ‘Los Blancos’.
“Nuk e di nëse ata janë të mërzitur nga unë, ndoshta, por personi më i rëndësishëm nuk është mërzitur”.
“Çfarë mund të ndryshojë dinamikën është se personi më i rëndësishëm në klub mos të mërzitet me ty”, përfundoi ai.