Kreu i Prishtinës, Shpend Ahmeti, është shprehur se i është keqinterpretuar deklarata se nëse ndal ndërtimet në kryeqytet, ose do të jetë në burg ose i vrarë.
E ka akuzuar Vetëvendosjen që me qëllim ia nxjerri prej kontestit këtë deklaratë.
“Është keqpërdorë shumë. Ka qenë një diskutim publik ku unë kam shkuar për t’i dëgjuar arkitektët se çfarë po thonë. Ka qenë një simbolikë sepse ka ndodhur në rrugën ‘Rexhep Luci’. Nëse deri në vitin 2013 kanë qenë problem ndërtimet pa leje, tash janë problem ndërtimet me leje. Unë i kam 5 padi. Ju thash unë, që po të më pyesni mua do të bënim moratorium për krejt ndërtimet në Prishtinë. Në të kundërtën unë do të përfundojë ose në burg ose i vrarë”, ka thënë Ahmeti në Interaktiv të KTV-së.
I pyetur se pse e ka bërë këtë deklaratë, Ahmeti ka shpeguar vetëm për këtë të parën.
“Me ligjet aktuale në Kosovë nuk ke të drejtë t’ia ndalësh ndërtimet. Me Ligjin mbi Ndërtimet, që Kuvendi e ka marrë prej Gjeorgjisë, 45 ditë nëse nuk i jep leje dikujt konsiderohet se ai ka leje. Gjithçka është bërë në favor të atyre që bëjnë ndërtime. Ne si Komuna vetëm mund t’i zbatojmë ligjet”, ka thënë Ahmeti, përcjell Koha.net.
Ai ka thënë se shansi i Prishtinës është te hartat zonale, që t’i jepet një zhvillim Prishtinës.
“Unë mendoj se në qendër nuk më vend për ndërtime. Në Prishtinë, nga viti 1999 janë investuar 2.5 miliardë euro në ndërtime, ndërsa janë investuar në infrastrukturë vetëm 180 milionë euro. Ndërsa llogaritet që për 3 euro investim në ndërtim, 1 euro të investohet në infrastrukturë, dhe ne po mundohemi që vazhdimisht ta zëmë hapin”, ka thënë Ahmeti.
Ahmeti ka sqaruar edhe problemin me ndërtimet në oborrin e Katedrales.
Ka thënë se kanë humbur në të gjitha fazat e gjyqësisë.
“Kemi humbur edhe në Supreme. Unë kam vendosur që t’i heqim, sepse kemi vendim të natyrës së prerë”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka thënë se as Katedralja, sikurse as Xhamia e Madhe, nuk do të mund të bëjnë dyqane komerciale në hapësirat e tyre.
“Do të angazhohemi që bashkë me Katedralen të krijojmë një hapësirë të gjelbëruar”, ka thënë Ahmeti.