Ahmeti reagon pas vdekjes së Fatos Nanos: Miku im i orëve të vështira

Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, ka reaguar pas vdekjes së ish-kryeministrit të Shqipërisë, Fatos Nano.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka thënë se lajmin e ka marrë me dhimbje të madhe, duke e përshkruar Nanon si mik dhe bashkëpunëtor në kohë sfidash.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të mikut tim të vjetër, shokut tim të orëve të vështira, Fatos Nano.

Na lidhte miqësia, bashkëpunimi dhe respekti i ndërsjellë që lindi në kohëra sfidash, kur idealet për liri, demokraci dhe zhvillim ishin udhërrëfyesit tanë të përbashkët.

Fatosi ishte njeri me vizion, guxim dhe urtësi politike, një personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë moderne të Shqipërisë.

Në këto çaste dhimbjeje, shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen, miqtë dhe gjithë ata që e deshën e e vlerësuan.

U prehtë në paqe miku im, Fatos Nano. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë gjithmonë”, shkroi Ahmeti. /Klankosova.tv