Kryetari Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti e ka përjashtuar mundësinë që subjekti i tij politik, aktualisht në opozitë, të bëhet pjesë e Qeverisë së Kosovës.
Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes së PSD-së në një koalicion qeverisës së bashku me partinë më të madhe opozitare, Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Po lexoj nëpër media se analistët po thonë se e parashikojnë prishjen e koalicionit, dhe qeveri të re (pa zgjedhje) me LDK dhe PSD.
Përderisa për LDK-në nuk mund të flas, sa i përket PSD-së, mund të konfirmoj se nuk ka pas as edhe një takim apo diskutim për këtë gjë.
Ne kemi dhënë dhe vazhdojmë të japim mbështetje politike për taksën dhe jemi pjesë e delegacionit shtetëror për dialogun. I kemi thënë edhe LDK-së e VV-së, se nuk do ta ndihmojmë Listën Serbe për ta rrëzuar Qeverinë për shkak të taksës. Tani i themi edhe PDK-së se me ndihmën tonë nuk do ta rrëzojnë e as kërcënojnë AAK-në – si presion ndaj Kryeministrit për ta larguar taksën.
Vazhdojmë të mbajmë qëndrimin që për taksën duhet të merret vendimi i përbashkët, ku edhe presionin edhe kritikat do t’i bartim bashkë. Taksa është e drejtë dhe është vendimi i parë pas të gjitha sulmeve që ka bërë Serbia ndaj nesh. Ne jemi të interesuar të dialogojmë me Serbinë sipas platformes që kemi aprovuar, por Qeveria ka të drejtë të merr vendime për ta mbrojtur interesin e shtetit tonë.
Dialogu me Serbinë është çështje tejet e rëndësishme për Republikën e Kosovës, si në aktualitet ashtu edhe në potencialitet. Prandaj, vendimet për të duhet të synojnë përherë koncensualitet dhe të përfshijnë të gjithë ata që janë të interesuar ta ndihmojnë Kosovën. Protagonizmi e personalizimi i këtij procesi as nuk është i mundshëm dhe do të ishte tejet i dëmshëm”.