Ahmeti diskuton me ministren Huang në Singapor për bashkëpunim ekonomik

Në kuadër të vizitës në Singapor, zëvendësministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, zhvilloi një takim me ministren e Shtetit për Punë të Jashtme, Tregti dhe Industri të Singaporit, Gan Siow Huang. Në takim është diskutuar për bashkëpunimin ekonomik dhe forcimin e lidhjeve ndërmjet komuniteteve të biznesit të të dyja vendeve.

 

“Palët shkëmbyen ide për mekanizma të përbashkëta që do të mundësonin rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe nxitjen e investimeve. Gjithashtu, u trajtua nevoja për ndërtimin e bazës juridike përmes marrëveshjeve bilaterale në fusha me interes të përbashkët”, njofton MPJD.

Zëvendësministri në detyrë Ahmeti prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në Kosovë dhe përparimin e vendit në reformat demokratike dhe agjendën evropiane.

”Në këtë kontekst, u theksua edhe rëndësia e lehtësimit të lëvizjes drejt Singaporit për qytetarët e Kosovës, përfshirë shqyrtimin e mundësisë për liberalizim të vizave për mbajtësit e pasaportave të rregullta në të ardhmen. Po ashtu, u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet akademive diplomatike dhe shkëmbimin e përvojave profesionale”, thuhet në njoftim.

Në përmbyllje të takimit, zëvendësministri Ahmeti e uroi ministren Gan për përvjetorin e 60-të të Pavarësisë së Republikës së Singaporit, duke shprehur urimet më të mira për popullin dhe institucionet e këtij vendi mik.

The post Ahmeti diskuton me ministren Huang në Singapor për bashkëpunim ekonomik appeared first on Kosovapost.net.